Reuters: Së paku 62 të vdekur nga vërshimet në Valencia
Së paku 62 persona kanë vdekur si pasojë e vërshimeve më vdekjeprurëse që kanë goditur Spanjën në tri dekadat e fundit pas reshjeve të dendura që përmbytën rajonin lindor të Valencias të martën, duke zhytur rrugë dhe vendbanime të tëra në ujë, kanë bërë të ditur më 30.10.2024 autoritetet lokale.
Ekipet e kërkim-shpëtimit kanë punuar tërë natën me gomone, duke shpëtuar dhjetëra persona të ngujuar, me pamjet televizive që kanë treguar gjendjen e qytezës së vërshuar të Utielit. Ekipet e emergjencave ende po punojnë për të arritur në vendet e thella e të goditura më së shumti, ka raportuar Reuters.
“Për ata që në këtë moment ende po kërkojnë më të dashurit e tyre, e gjithë Spanja po qan me ju”, ka deklaruar kryeministri Pedro Sanchez në një adresim televiziv.
“Fshatrave dhe qytezave të shkatërruara prej kësaj tragjedie, ua them të njëjtën: Bashkë, ne do të rindërtojmë rrugët, sheshet dhe urat tuaja”.
Carlos Mazon, lider rajonal i Valencias, njëri prej rajoneve më të rëndësishme bujqësore të Spanjës, ka thënë se njerëzit kanë mbetur të izoluar në lokacione ku nuk mund të hyhet.
“Nëse nuk do të arrinin ekipet e shpëtimit, nuk do të mund të qasej askush tjetër, për shkak të mungesës së qasjes”, ka deklaruar Mazon në një konferencë për media, duke shtuar se ka rajone ku qasja “është absolutisht e pamundshme”.
Shumë xhirime të ndara në mediat sociale gjatë natës kanë treguar njerëz të ngujuar prej vërshimeve, me disa syresh që janë parë duke u ngjitur në drunj për t’iu shmangur përmbytjes. Ka pasur edhe gra që janë nxjerrë me buldozer prej zonave të vërshuara.
Janë anuluar udhëtimet me tren drejt Barcelonës dhe Madridit për shkak të vërshimeve dhe shkollat kanë ndërprerë mësimin në zonat e vërshuara.
Numri i viktimave duket të jetë më i larti në Europë prej vërshimeve të vitit 2021 kur së paku 185 persona vdiqën në Gjermani.
Përgatiti: Rexhep Maloku – Kallxo.com