
Presidenti amerikan, Donald Trump dhe homologu i ti rus, Vladimir Putin (2018) - Foto: REL/Reuters
Reuters: Rusia shtron kërkesat për bisedime me SHBA-në dhe Ukrainën
Rusia ia ka paraqitur SHBA-së një listë me kërkesa për Marrëveshje, që t’i jepet fund luftës së saj kundër Ukrainës dhe për rivendosjen e marrëdhënieve me Uashingtonin – raporton të enjten Agjencia Reuters, duke u bazuar në dy burime të informuara me këtë çështje.
Nuk është e qartë se çfarë saktësisht përfshiu Moska në listën e saj, ose nëse është e gatshme të përfshihet në bisedimet e paqes me Kievin përpara pranimit të tyre. Zyrtarët rusë dhe amerikanë diskutuan kushtet gjatë bisedave personale dhe virtuale, gjatë tre javëve të fundit – thanë burimet.
Ata i kanë përshkruar kushtet e Kremlinit si të ngjashme me kërkesat që më parë ia kanë paraqitur Ukrainës, SHBA-së dhe NATO-s.
Këto kushte të mëparshme përfshinin heqjen dorë prej anëtarësimit të Ukrainës në NATO – një Marrëveshje për të mos vendosur trupa të huaja në Ukrainë dhe njohjen ndërkombëtare të pretendimit të presidentit Vladimir Putin se Krimeja dhe katër provinca ukrainase i përkasin Rusisë.
Rusia, vitet e fundit, ka kërkuar gjithashtu që SHBA-ja dhe NATO-ja të adresojnë ato që ajo i ka quajtur “shkaqe rrënjësore” të luftës – duke përfshirë zgjerimin e NATO-s drejt lindjes.
Presidenti i SHBA-së Donald Trump është në pritje të përgjigjes së Putinit, nëse do të pajtohet me një armëpushim 30-ditor, të cilin presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky e ka deklaruar të martën se do ta pranonte si hapin e parë drejt bisedimeve të paqes.
Angazhimi i Putinit për një Marrëveshje të mundshme armëpushimi është ende i pasigurt, me detaje ende për t’u finalizuar.
Disa zyrtarë, kongresistë dhe ekspertë amerikanë kanë frikë se Putini, ish-oficer i KGB-së, do të përdorte armëpushimin për intensifikimin e asaj që thonë se është përpjekje për të përçarë SHBA-në, Ukrainën dhe Europën dhe për cenimin e çdo përpjekjeje bisedimesh.
Ambasada ruse në Uashington dhe Shtëpia e Bardhë nuk iu përgjigjën menjëherë kërkesës së Reutersit për koment.
Përgatiti: Rexhep Maloku – Kallxo.com