Reuters raporton për protestën e kosovarëve në ballkone

Agjencia prestigjioze e lajmeve Reuters i ka kushtuar një artikull protestës së mbrëmshme të qytetarëve të Kosovës nëpër ballkone, përmes elementeve të kuzhinës duke bërë zhurmë, si kundërshtim ndaj krizës politike.

Reuters përshkuan se si njerëzit në tërë Kosovën dolën në ballkonet e tyre me enë duke  protestuar për t’i nxitur partitë në pushtet të merren me coronavirusin dhe t’i japin fund një krize politike e cila mund të rrëzojë qeverinë javën e ardhshme.

Isa Mustafa, kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), tha se shkarkimi i ministrit Agim Veliu ishte kulmi i dallimeve midis partnerëve të koalicionit për shkak të tarifës 100 për qind.

Gazmend Vokshi, 60 vjeç – arkitekt ka folur për Reuters lidhur me krizën politike.

“Ata po kujdesen për punën e tyre. Nuk është koha për hakmarrje, ata duhet të kujdesen për njerëzit”, ka thënë ai.

Ndërkaq, Naim Miftari, 34 vjeç thotë se nëse vazhdon kjo gjendje, mund të ketë edhe viktima nga coronavirusi.

“Nëse vazhdojnë kështu, ata (politikanët) nuk do të kenë kohë të kujdesen për ne dhe do të ketë shumë viktima”, tha ai për Reuters.

Në Kosovë deri më tani janë konfirmuar 21 raste me coronavirus.

Reuters shkruan se në Koosvë tashmë janë të mbyllura të gjitha shkollat, kufijtë, fluturimet, baret dhe restorantet dhe se vetëm supermarketet dhe farmacitë mbeten të hapura.

Shumica e njerëzve me coronavirus erdhën nga Italia ose kanë lidhje me dikë që u kthye nga Italia.

LDK e Mustafës dhe Vetëvendosje partia e kryeministrit Albin Kurti, formuan qeverinë më pak se dy muaj më parë.

Krizë politike në kohë pandemie