
Reuters: Kryeministri kanadez pritet të japë dorëheqje
Kryeministri i Kanadasë, Justin Trudeau pritet se do të bëjë të ditur dorëheqjen, megjithëse ai ende nuk e ka marrë vendimin përfundimtar – ka bërë të ditur për Reutersin një burim i informuar me rrjedhat e Trudeaut.
Burimi ka folur për Reutersin pasi “Globe and Mail” raportuan se Trudeau pritet që të hënën të ofrojë dorëheqjen si kryetar i Partisë Liberale kanadeze në pushtet, pas nëntë vjetësh në krye të kësaj detyre.
Reuters ka raportuar të hënën, më 06.01.2025, se burimi ka folur në kushte anonimiteti pasi nuk është i autorizuar të flasë publikisht. Largimi i Trudeaut do të linte partinë pa kryetar në kohën kur sondazhet tregojnë se liberalët do t’i humbin keq Zgjedhjet ndaj konservatorëve në opozitë – në Zgjedhjet që pritet të mbahen kah fundi i tetorit.
Burimet kanë thënë për “The Globe and Mail” se nuk e dinin përfundimisht se kur Trudeau do ta bëjë të ditur dorëheqjen, porse kanë theksuar se kjo mbase pritet të bëhet në një takim urgjent me grupin parlamentar liberal të mërkurën, më 08.01.2025.
Ka një numër në ngritje deputetësh liberalë, të alarmuar për një seri sondazhesh të zymta për partinë, të cilët kanë kërkuar publikisht që Trudeau të japë dorëheqjen.
Zyra e Kryeministrit nuk i është përgjigjur menjëherë kërkesës për komentim jashtë orarit të rregullt të punës. Orari i publikuar rregullisht për punën e Kryeministrit të hënën ka bërë të ditur se ai do të marrë pjesë në një takim virtual kabineti, për marrëdhëniet ndërmjet Kanadasë dhe SHBA-së. Mbetet e paqartë nëse Trudeau do ta lërë menjëherë detyrën apo do të qëndrojë, derisa të zgjidhet një lider i ri i liberalëve – ka raportuar “The Globe and Mail”.
Përgatiti: Rexhep Maloku – Kallxo.com