Ilustrim: Gaza, Foto: UNRWA/facebook

Reuters: Izraeli dhe Hamasi arrijnë marrëveshje për armëpushim

Negociatorët kanë arritur të mërkurën (më 15.01.2025) marrëveshje armëpushimi për luftën e Gazës midis Izraelit dhe Hamasit, i ka deklaruar Reutersit një zyrtar i informuar me negociatat.

Marrëveshja ndodh pas 15 muajsh konflikti që ka vrarë dhjetëra mijëra palestinezë dhe ka ndezur flakët e luftës në Lindjen e Mesme.

Marrëveshja, që pritet të shpallet edhe zyrtarisht, përshkruan një fazë fillestare gjashtëjavore të armëpushimit dhe përfshin tërheqjen graduale të forcave izraelite nga Gaza dhe lirimin e pengjeve që po mbahen nga Hamasi në këmbim të të burgosurve palestinezë që gjenden në burgjet e Izraelit, ka deklaruar për Reuters një zyrtar i përfshirë në procesin negociator.

Marrëveshja arrihet pas disa muajsh negociatash të ndërmjetësuara nga ndërmjetësuesit e Egjiptit dhe të Katarit, me mbështetjen e Shteteve të Bashkuara dhe erdhi pak përpara inaugurimit të presidentit të zgjedhur të SHBA-së, Donald Trump, më 20 janar.

Hamasi, grupi militant palestinez që udhëhiqte Gazën, i ka deklaruar Reutersit se delegacioni i tij u kishte dhënë ndërmjetësuesve miratimin për marrëveshjen e armëpushimit dhe kthimin e pengjeve.

Një zyrtar palestinez, i cili kërkoi të mos identifikohej, i ka theksuar Reutersit më herët se Hamasi ka dhënë miratimin verbal për propozimin e armëpushimit dhe kthimit të pengjeve në negociatat e Katarit dhe ishte duke pritur për më shumë informacione për të dhënë miratimin përfundimtar me shkrim.

Ministri i Jashtëm izraelit, Gideon Saar, ka njoftuar se do të ndërpresë vizitën në Europë dhe do të kthehet në Izrael gjatë natës për të marrë pjesë në votimet e kabinetit të sigurisë dhe qeverisë për marrëveshjen – që do të thotë se votimi do të zhvillohet sonte.

Trupat izraelite pushtuan Gazën pasi persona të armatosur të udhëhequr nga Hamasi depërtuan nëpër barrierat e sigurisë dhe hynë në komunitetet izraelite më 7 tetor 2023, duke vrarë 1,200 ushtarë dhe civilë dhe rrëmbyer më shumë se 250 të huaj dhe izraelitë.

Fushata e Izraelit në Gazë ka vrarë më shumë se 46 mijë njerëz, sipas shifrave të Ministrisë së Shëndetësisë të Gazës, dhe e ka kthyer enklavën bregdetare në një shkretëtirë rrënojash me qindra mijëra që i mbijetuan të ftohtit të dimrit në tenda dhe strehimore të improvizuara.

Ndërsa inaugurimi i tij afrohej, presidenti i zgjedhur Trump përsëriti kërkesën e tij që një marrëveshje të arrihej shpejt, duke paralajmëruar hakmarrje nëse pengjet nuk do të liroheshin. I dërguari i tij në Lindjen e Mesme, Steve Witkoff, punoi me ekipin e presidentit Joe Biden për ta arritur marrëveshjen.

Përgatiti: Rexhep Maloku/Kallxo.com