
Reuters: Bie për 20% numri i martesave në Kinë më 2024, shqetësim për natalitetin
Martesat në Kinë kanë shënuar rënie më 2024, që është rënia më e madhe e regjistruar deri tani, pavarësisht përpjekjeve të shumta të autoriteteve për inkurajimin e çifteve të reja të martohen dhe të kenë fëmijë për rritjen e popullsisë kineze në rënie – raporton Agjencia e lajmeve Reuters.
Më shumë se 6.1 milionë çifte u kurorëzuan vitin e kaluar, nga 7.68 milionë një vit më parë – treguan shifrat nga Ministria e Çështjeve Civile.
Rënia e interesit për martesë dhe për krijim të familjeve konsiderohet se ka nisur prej kohësh, shkaku i kostos së lartë të kujdesit për fëmijët dhe arsimimit në Kinë. Për më tepër, rritja e sfiduar ekonomike gjatë viteve të fundit e ka bërë të vështirë për të diplomuarit në Universitete të gjejnë punë, derisa ata që kanë punë ndihen të pasigurt për perspektivat e tyre afatgjata.
Por, për autoritetet kineze rënia e interesit për martesën dhe lindjen e foshnjave është shqetësim i ngutshëm.
Kina ka popullsinë e dytë më të madhe në botë me 1.4 miliardë banorë, por ajo po plaket shpejt.
Shkalla e lindjeve ka rënë për dekada me radhë për shkak të politikës së Kinës të viteve 1980-2015 një çift – një fëmijë dhe urbanizimit të shpejtë. Dhe, në dekadën e ardhshme, afërsisht 300 milionë kinezë – ekuivalenti i pothuajse të gjithë popullsisë së SHBA-së – pritet të dalin në pension.
Masat e vitit të kaluar nga autoritetet për trajtimin e problemit përfshinin nxitjen e Kolegjeve dhe Universiteteve të Kinës për të ofruar “edukim dashurie”, që të theksohen pikëpamjet pozitive për martesën, dashurinë, pjellorinë dhe familjen.
Dhe, në nëntor Këshilli shtetëror ose Kabineti i Kinës u kërkoi Qeverive lokale që të orientojnë burimet drejt rregullimit të krizës së popullsisë në Kinë dhe të nxisin respektin për lindjen e fëmijëve dhe martesat “në moshën e duhur”.
Vitin e kaluar u pa një rritje e lehtë e lindjeve pas një uljeje për shkak të pandemisë dhe për shkak se viti 2024 ishte viti kinez i dragoit: me fëmijët e lindur atë vit që konsiderohen të kenë ambicie dhe të kenë pasuri të madhe.
Por, edhe me rritjen e lindjeve popullsia e vendit ra për të tretin vit radhazi.
Të dhënat treguan gjithashtu se më shumë se 2.6 milionë çifte aplikuan për divorc vitin e kaluar, apo 1.1% më shumë nga viti 2023.
Përgatiti: Rexhep Maloku – Kallxo.com