Objekti i 'Sahat Kullës', Prishtinë

Restaurimi dhe vënia në funksion e 'Sahat Kullës', studentet shpalosin projektin - Video

 

Disa studente të Fakultetit të Arkitekturës kanë hartuar një projekt për ta restauruar dhe vënë në funksion ‘Sahat Kullën’ në zonën e vjetër të qytetit të Prishtinës.

Ato planifikojnë që me anë të këtij projekti t’i kthejnë vëmendjen e duhur këtij objekti me vlera historike.

Përpos orës që planifikojnë ta vënë në lëvizje, ato kanë projektuar edhe ndërhyrje në shkallët brenda objektit si dhe vënien e një ashensori për ngjitje deri në ballkonin e kullës.

Projekti i studenteve është bërë në bashkëpunim me profesorët e Fakultetit të Arkitekturës, Florina Jerliu dhe Rron Beqiri.

Projekti i tyre është miratuar edhe nga ana e Drejtorisë së Kulturës në Komunën e Prishtinës.

Drenusha Morina, një prej hartueseve të këtij projekti tha se përzgjedhja nuk ka qenë e rastësishme, pasi sipas saj objekti bart vlera historike, shoqërore dhe artistike.

“Përzgjedhja për restaurimin dhe inçizimin e këtij monumenti nuk ka qenë e rastësishme, duke i marr parasysh edhe vlerat që posedon, nga ato historike ku përfshihet fakti që është e ndërtuar në gjysmën e dytë të shek. 19, gjendet në bërthamën e vjetër të Prishtinës dhe është dëshmi e zhvillimit gjatë sundimit osman. Gjithashtu është edhe një përfaqësuese e arkitekturës islame dhe një relikt i memories kolektive. Ka edhe vlerën shoqërore me faktin që, ky është një monument profan në shërbimin e objekteve sakrale, këmbana e tij në të kaluarën ka lajmëruar besimtarët islam se kur duhet të kryejnë ritet e tyre fetare”, tha Morina.

Tringa Krasniqi, po ashtu pjesëmarrëse në projektim tha se ndërhyrja në këtë objekt do ketë tre faza, duke filluar nga inçizimi, ndërhyrjet emergjente dhe restaurimi.

“Projekti ideor për Sahat Kullën përfshin tre faza: Inçizimi i gjendjes ekzistuese, ndërhyrjet emergjente dhe faza e restaurimit. Fazën e parë të inçizimit e kemi bërë ne, me këto matje kemi bërë paraqitjen grafike të Sahat Kullës. Gjatë inçizimit janë vërejtur edhe degradimet apo problemet e kullës, ku në pjesën e jashtme janë bërë nga dora e njeriut, pra njeriu është problemi kryesor i degradimit të Sahat Kullës, sepse me grafite, posterë apo shndërrimin e saj si banjo publike kanë bërë që të prishet edhe fasada. Gjatë inçizimit janë bërë edhe ndërhyrjet emergjente, këtu kemi menduar të mbyllim komplet parterin e kullës për të ndalur degradimin e mëtejshëm, këtu është menduar edhe pastrimi i fasadës, brenda kemi menduar ta ndërrojmë gardhin ekzistues  sepse është shumë jo stabil, pastaj është konstruksioni i drurit ku mendojmë vetëm ta shtangojmë gjatë kësaj faze pastaj të ndërrohet komplet”, tha Krasniqi.

Diellza Kastrati, po ashtu hartuese e projektit tha se në ndërhyrjet brenda kullës kanë në plan të rregullojnë shkallët, kurse jashtë do vendosin një ashensor për ngjitje deri në ballkon.

“Brenda kemi parapare të rregullojmë shkallët ekzistuese, të cilat kanë një vijë të vështirë të ngjitjes si dhe largimin e konstruksionit të drurit në pjesën e sipërme për shkak që është ndërtuar më vonë dhe nuk ka vlera historike. Aty do vendosen shkallë metalike që mundësojnë ngritjen deri tek këmbana dhe mundësohet pamje panoramike 360 shkallë rreth monumentit. Jashtë parashohim të vendosim një ashensor që të mundësojë ngritje nga përdhesa deri tek ballkoni i Sahat Kullës e më pas përmes shkallëve kalohet te këmbana”, tha Kastrati

Anita Shatri theksoi se do bëjnë ndërhyrje edhe në ambientin e jashtëm me dizajne pasi vëmendjen e saj e merr më shumë Xhamia përballë Kullës.

“Sa i përket ndërhyrjes në ambientin e jashtëm, ne kemi ardhur me një zgjidhje urbane që e bënë më të lehtë dukjen e saj, pasi është vështirë e dallueshme gjatë kalimit aty, ku vëmendjen kryesore e merr ‘Xhamia e mbretit’ përballë saj. Në kemi propozuar ngjyra dhe dizajn për orientim deri tek pjesa e ashensorit. Dizajni do jetë me motive tradicionale, ku edhe bëhet lidhje mes monumenteve të trashëgimisë kulturore”, tha Shatri

Shatri tha se janë ftuar në takim nga komuna për prezantim të projektit dhe kanë marr aprovim nga ana e tyre për realizim të tij pas diskutimeve me institucione relevante.

“Pas përzgjedhjes së monumentit, ne kemi kërkuar nëpër arkiva për informacione, aty edhe ka lindur bashkëpunimi me Komunën. Pas përfundimit të detyrës ne e dorëzuam në komunë, ata na ftuan për një takim dhe prezantim të projektit dhe na premtuan që këtë vit mund të fillojnë punimet për realizimin pas miratimit edhe nga institucionet e tjera”, shtoi ajo.

Projekti i tyre është miratuar edhe nga ana e Drejtorisë së Kulturës në Komunën e Prishtinës.

Drejtoi i Kulturës në Prishtinës, Adrian Berisha për Kallxo.com ka thënë se projekti është dorëzuar dhe miratuar nga ana e Drejtorisë së Kulturës, kurse janë në diskutim me institucionet përkatëse për rekomandime.

“Po, është miratuar nga Drejtoria për Kulturë në Komunën e Prishtinës dhe tani jemi në diskutim e sipër me institucionet relevante të fushës së trashëgimisë kulturore, si QRTK dhe IKMM për të marr rekomandimet e tyre rreth projektit”, ka thënë Berisha.

Ndërsa Edona Durguti nga Qendra Rajonale për trashëgimi kulturore për Kallxo.com ka thënë se deri tani nuk kanë marr njoftim nga komuna për këtë projekt.

“Qendra Rajonale për Trashëgimi Kulturore – Prishtinë deri më tani nuk ka pranuar njoftim rreth realizimit të projektit për të vënë në funksion Kullën e Sahatit. Pasi të pranohet Projekti do të analizohet dhe vlerësohet edhe nga profesionistët e Qendrës, i njëjti në procedurë administrative do t’i përcillet Institutit të Kosovës për Mbrojte të Monumenteve, Institucion i cili jep pëlqim me shkrim për veprimtaritë që ndikojnë në vlerat e objektit të trashëgimisë kulturore – arkitekturale”, ka thënë Durguti.

Sahat Kulla paraqet një nga monumentet më të rëndësishme të arkitekturës utilitare në Prishtinë. E ndërtuar para më shumë se një shekulli, ajo ishte pikë referente dhe dominante e qytetit të vjetër dhe pikë orientuese për kohën dhe aktivitet e qytetarëve.

Deri më tani nuk ka pasur funksion tjetër, përveç tregimit të orës, mekanizmi i së cilës nuk ka funksionuar prej viteve të ’70-ta deri në vitin 2001.

Në vitin 2002 ora mekanike dhe këmbana janë zëvendësuar me orë digjitale, e cila për shkak të ndërprerjes së energjise elektrike nuk ka funksionuar si duhet.