Reshjet e shiut pritet të vazhdojnë sot dhe nesër sipas Institutit Hidrometeorologjik
Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës dy ditë ma parë kishte njoftuar se do të ketë reshje shiu për disa ditë dhe intensiteti do të shtohej në vikend dhe ditën e hënë.
Sipas IHK-së, reshje më të theksuara do të jenë në zonën e Dukagjinit më saktësisht Gjakovë, Junik, Deçan, Pejë, Istog, Klinë, Malishevë dhe Rahovec.
“Këto reshje mund të krijojnë kushte për vërshime të shpejta, (efekti flash flood), të cilët mund të shkaktojnë vështirësi dhe probleme, sidomos tek rrjedhat lumore me karakter malorë në formë të rrëkeve të shpejta, duke shkaktuar rrëshqitje të dheut, mbyllje të sistemit të kanalizimeve dhe vështirësi në qarkullim”, thuhet në njoftimin e Institutit i publikuar dy ditë më parë.
Gjithashtu ata kanë njoftuar se reshjet të cilat janë më të larta se 30 l/m2 në 12 orë ka rrezik të shkaktimit të përmbytjeve, problemeve në prodhimin bujqësor, probleme në trafik si dhe rrëshqitje të dheut.
Gjithashtu sipas tyre mund të ketë edhe lëndime të mundshme të njerëzve dhe dëmtim të pronës.