Moti. Foto: KALLXO.com

Reshjet e fundit në Kosovë, AME nuk ka marrë ndonjë paralajmërim për vërshime

Reshjet e shiut ditëve të fundit në nivel vendi, kanë ngritur edhe nevojën për të ditur nëse zona të caktuara mund të përballen me vërshime.

Nga e hëna reshjet e shiut kanë përfshirë të gjitha qytetet e Kosovës, diku me intensitet më të lartë e në pika të larta me reshje bore. Por institucionet nuk kanë paralajmërime për vërshime.

Nehat Koçinaj nga Agjencia e Menaxhimit Emergjent (AME) në një përgjigje për KALLXO.com, ka bërë të ditur se nuk kanë marrë ndonjë paralajmërim për vërshime.

“Agjencia Menaxhimit Emergjent deri në këto qaste nuk ka pranuar asnjë paralajmërim të hershëm lidhur me kërcënim për vërshime ose përmbytje”- deklaroi Koçinaj.

KALLXO.com ka dërguar pyetje edhe në Institutin Hidrometeorologjik të Kosovës (IHMK) për mundësinë për vërshime, por deri në publikimin e këtij artikulli, nuk ka pranuar ndonjë përgjigje.

Derisa, në të dhënat e fundit të të IHMK-së bëhet e ditur se të mërkurën do ketë reshje të izoluara shiu. Derisa, gjatë të enjtes dhe premtes do ketë mot kryesisht të qetë dhe të freskët, me rritje të lehtë të temperaturave maksimale.

Në anën tjetër, nga tri komuna të vendit, Skenderaj, Mirovica e Jugut dhe Vushtrria, thonë se aktualisht nuk janë të rrezikuar nga vërshimet.

Komuna e Skënderajt ka qenë në mesin e komunave që është goditur nga vërshimet si pasojë e reshjeve të shumta në fillim të vitit.

Drejtori i Shërbimeve Publike në këtë komunë, Alban Shala për KALLXO.com bëri të ditur se gjendja për momentin është e mirë dhe se komuna me kapacitetet që ka, është e përgatitur.

“Gjendja për momentin është e mirë, sipas parashikimit të motit nuk ka ndonjë rrezik për vërshime. Komuna gjithmonë është e përgatitur me ato kapacitete që kemi, megjithatë lutemi të mos kemi asnjëherë me raste të tilla që t’i shfrytezojmë”- tha ai.

Kurse, drejtori për Siguri dhe Emergjenca në Mitrovicë të Jugut, Bahtir Maxhuni tha se nuk kanë marrë ndonjë paralajmërim për rrezik të vërshimeve.

“Zyrtarisht nuk kemi marrë ende ndonjë paralajmërim për rrezik të vërshimeve, por si komunë i kemi marrë masat në pastrim dhe mirëmbajtje të kanaleve, ujërave fekale e tilla në rast të vërshimeve”- tha ai.

Deklarim të ngjashëm dha edhe Maliq Ferizi, drejtor për Siguri dhe Emergjenca në Komunën e Vushtrrisë, i cili potencoi se vazhdimisht pastrojnë kanalet e lumenjve.

“Nuk jemi paralajmëruar për ndonjë rrezik nga vërshimet. Intensiteti i reshejve këto ditë nuk është në atë nivel sa të rrezikohemi nga diçka e tillë. Si komunë, nga marrja e mandatit jemi kujdesur në pastrim të kanaleve e lumenjeve në mënyrë që të shmanget kjo”- deklaroi ai.

Në janar disa qytete të Kosovës u përballën me vërshime që dëmtuan qindra shtëpi, në veçanti në Skenderaj, Mitrovicë të Jugut, Mitrovicë të Veriut, Zubin Potok, Klinë dhe Istog.

Këto vërshime, sipas ekspertëve, kanë pasur intensitet më të lartë për shkak të degradimit të shtretërve të lumenjve, si dhe për shkak të mungesës së planifikimit hapësinor.

Por, pavarësisht se vërshimet janë shpeshtuar, Kosova ende nuk ka një hartë që specifikon vendet që janë të rrezikuara nga vërshimet.