Foto: Ilustrim

Reshjet e borës, Policia apelon për vozitje të kujdesshme

Territori i Kosovës është përfshirë sot nga një mot me borë dhe ngrica.

Kjo situatë ka rënduar edhe gjendjen në trafik.

Për këtë arsye, Policia e Kosovës ka kërkuar që vozitësit të kenë kujdes në komunikacion si dhe të përdorin zinxhirët gjatë lëvizjes në akset rrugore ku ka borë dhe ngrica.

Policia e Rajonit të Pejës me anë të një njoftimi ka thënë se ka ndërmarrë masa për përforcimin e shërbimeve të Policisë së Komunikacionit rrugor në të gjitha akset rrugore.

“Të gjitha akset rrugore do të jenë të mbuluara nga Njësitë Rajonale të Komunikacionit, të cilat do të ushtrojnë kontrollë të vazhdueshme për pajisjen e automjeteve me goma dimërore, zinxhirë, në ato akse ku është i nevojshëm përdorimi i tyre, si dhe për respektimin e normave të shpejtësisë së lejuar dhe përshtatja e kushteve të rrugës, gjithashtu edhe ndërmarrjen e masave preventive ndaj shoferëve të cilët janë të obliguar për përdorimin e dritave për ndriçimin e rrugës dhe dritat e mjegullës në rastet e zvogëlimit të dukshmërisë së rrugës”, thuhet në njoftim.

Gjithashtu në njoftim kërkohet edhe se pjesëmarrësit në komunikacion të respektojnë shenjat e komunikacionit rrugor në mënyrë që t’i përshtaten kushteve atmosferike si dhe të përdorin zinxhirët gjatë lëvizjes në akset rrugore ku bora dhe ngricat janë të pranishme.

“Me qëllim parandalimin e aksidenteve në komunikacionin rrugor, Policia apelon tek të gjithë ngasësit e automjeteve që të respektojnë dispozitat ligjore të lëmit të komunikacionit, pasi që këto norma janë vendosur për mbrojtjen e jetës së tyre dhe pjesëmarrësve tjerë në komunikacion”, përfundon njoftimi i Policisë.

KALLXO.com raportoi gjatë ditës së sotme për reshjet e borës dhe gjendjen e rrugëve.

VIDEO – Bora e parë mbulon Brezovicën

Policia apelon shoferët për kujdes të shtuar për shkak të mjegullës