Reshjet dëmtojnë urën në Dobroshec të Drenasit

Reshjet e vazhdueshme të shiut dhe borës, kanë dëmtuar urën në lagjen Avdyli në Dobroshec të Drenasit.

Sipas njoftimit të Komunës së Drenasit, kjo urë është bërë e pakalueshme dhe ekipet përkatëse emergjente janë në vendin e ngjarjes.

“Dëmtohen urat, ekipet emergjente në terren. Reshjet e vazhdueshme të shiut dhe borës kanë shkaktuar ngritje të nivelit të ujit në disa zona. Si pasojë e kësaj gjendjeje, ura e dëmtuar në lagjen Avdyli në Dobroshec është bërë e pakalueshme. Po ashtu, si pasojë e vërshimeve që kanë përfshirë vendin këto ditë, në vazhdimësi po dëmtohen urat. Ekipet përkatëse emergjente janë në vendin e ngjarjes dhe po monitorojnë situatën. Drejtoria për Shërbime Publike dhe Emergjencë njofton qytetarët se pas rënies së nivelit të ujit në bashkëpunim me akterë tjerë do të merret me sanimin e gjendjes që banorët të mos kenë vështirësi në qarkulllimin e tyre”, thuhet në postimin në rrjetin social “Facebook”.

Kjo komunë më tej, ka njoftuar se të gjitha rrugët janë të kalueshme dhe kompania po kujdeset për pastrimin e tyre.

Më 11 janar, KALLXO.com ka raportuar se një urë tjetër në fshatin Dobroshec të komunës së Drenasit është shembur si pasojë e reshjeve të fundit që kanë mbizotëruar në Kosovë.

Lidhur me urën, Lladrovci ka bërë të ditur se nga Ministria e Mbrojtjes kanë marrë konfirmimin se kërkesa e tyre për ndërtimin e një ure të përkohshme në fshatin Dobroshec është pranuar dhe adresuar në Shtabin e Përgjithshëm dhe së shpejti do të bëhet vlerësimi i vendit për  të nisur me montimin e saj.