Reshitaj: Procesi mësimor të kthehet me orar të rregullt

Deputetja e Kuvendit të Kosovës nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Albena Reshitaj ka propozuar që nga java e ardhshme, të hiqet skenari A, B dhe C në organizimin e arsimit parauniversitar.

Në mënyrë, që sipas saj, të ketë orë të plota mësimore.

“Këtë propozim e bëjë mbi bazën që janë hequr masat dhe ka rënie të rasteve. Një vendim i tillë është nevoja më urgjente që duhet të merret sa më parë”, tha ajo.

Reshitaj kërkoi që në përfundim të debatit parlamentar, Kuvendi ta miratoj rekomandimin që procesi mësimor të kthehet me orar të rregullt.

Të njëjtën kërkesë e ka edhe partia tjetër opozitare – Lidhja Demokratike e Kosovës.

“Ministria që nga dita e hënë të marrë vendim dhe mësimi të zhvillohet në objekte shkollore dhe me orar të plotë. Bëjeni arsimin prioritet kombëtar”, tha deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami.

Kuvendi i Kosovës ka nisur sot vazhdimin e debatit parlamentar në lidhje me organizimin e arsimit në të gjitha nivelet në situatën e pandemisë COVID-19.