Reshitaj: Problemet mjedisore kanë adresë e emër të shkaktarëve të tyre

Deputetja e Kuvendit të Kosovës dhe anëtare e Komisionit për Bujqësi, Pylltari, Zhvillim Rural, Mjedis, Planifikim Hapësinor dhe Infrastrukturë, Albena Reshitaj, e ftuar në konferencën “Marrëveshja e Gjelbër Evropiane dhe Qëllimet e Zhvillimit të Qëndrueshëm”, ka thënë se problemeve mjedisore në Kosovë iu dihet shkaktari dhe sipas saj, shteti do të duhej të merrej me to.

Albena Reshitaj Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Po ashtu Reshitaj ka thënë se Kosova ende nuk e ka një studim se sa ndikon mjedisi i dëmshëm në shëndet, ndërsa ka shtuar se shumë shtete në Rajon dhe më gjerë tashmë e kanë këtë studim.

“Ne kemi identifikuar probleme mjedisore që nuk janë zgjedhur me dekada. Problemet kanë adresë e emër të shkaktarëve të tyre. Problemet mjedisore shihen por edhe heshten. Shteti do të duhej të merrej me identifikimin e problemeve dhe të shkaktarëve të tyre dhe të merrej me to. Jo gjithmonë përafrimi i legjislacionit me atë të BE-së ka qenë i suksesshëm. Konsideroj se duhet të identifikohen shkaktarët e problemeve mjedisore”, ka deklaruar Reshitaj.

“Mungesa e kompetencave dhe profesionalizmit jep frikë për përballje me problemin. Programi i Qeverisë është ambicioz por nuk ka diçka specifike. Jemi informuar se ka koncept dokument për energjinë e ripërtërishme por që nuk pritet që gjatë këtij viti. Ne duhet të kemi projekte të qëndrueshme mjedisore. Qeveria e re është dashur që ta ketë prioritet që do të rregullonte shumë çështje për energji të ripërtërishme. Kosova s’ka bërë asnjëherë asnjë studim për ndikimin e ndotësve të ajrit dhe ndikimin e tyre në shëndet”, ka thënë Reshitaj.

Në konferencën e moderuar nga Visar Prebreza morën pjesë Viktor Berishaj – Koordinator i Politikave të Energjisë për Evropën Juglindore në Rrjetin e Aksionit Klimatik (CAN) Evropë, Shend Boshjnjaku – Drejtor ekzekutiv i Green Energy Kosova dhe përfaqësues i OSHC (çështjet mjedisore), Lulzim Syla – CEO Elen (TBC), Albena Reshitaj – Deputete e Kuvendit të Kosovës dhe anëtare e Komisionit për Bujqësi, Pylltari, Zhvillim Rural, Mjedis, Planifikim Hapësinor dhe Infrastrukturë, Hana Xhemajli – Hulumtues i Politikave Shëndetësore (TBC).

Kjo konferencë u organizua si pjesë e aktivitetit “Ditët e Energjisë së Gjelbër 2021”, aktivitet brenda projektit të financuar nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë, “Evropianizimi i Agjendës Mjedisore të Kosovës” – “Ditët e Energjisë së Gjelbër”.

Temat e trajtuara në konferencën e diskutimit ishin të fokusuara në shëndetin dhe mirëqenien e mirë e popullatës, energji e pastër dhe financiarisht e përballueshme, si dhe qytete dhe komunitete të qëndrueshme. Në këtë konferencë do të diskutohet mbi lidhjen e ngushtë mes qëllimeve të caktuara drejt zhvillimit të qëndrueshëm, progresit të cilin Kosova e ka bërë deri më tash dhe hapat që Kosova duhet t’i ndërmarrë drejt arritjes së këtyre qëllimeve dhe rrjedhimisht energjisë së pastër dhe popullatës së shëndetshme.

Ky botim është prodhuar me përkrahjen e Bashkimit Evropian. Përmbajtja e këtij botimi është përgjegjësi e BIRN-it dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohet si qëndrim i Bashkimit Evropian. Ky botim është pjesë e aktivitetit “Ditët e Energjisë së Gjelbër 2021” që mbahet nga 28 qershori deri më 7 korrik 2021, brenda projektit të financuar nga Bashkimi Evropian, “Evropianizimi i Agjendës Mjedisore të Kosovës”.