Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Reshitaj- Konjufcës: Mllefin nga pamundësia për të bërë funksionale seancën, vendosi ta derdhte mbi mua

Mëditja e deputetes të AAK-së, Albena Reshitaj është kthyer në temë diskutimi edhe sot në Kuvendin e Kosovës pas propozimit të kryeparlamentarit Glauk Konjufca që asaj të mos i deponohet mëditja për mospjesëmarrje dje në seancë.

Reshitaj e ka quajtur emocionale dhe të pahijshme deklaratën e kryetarit të Kuvendit.

Ajo ka thënë se Konjufca e ka bërë këtë për shkak të mllefit nga pamundësia për të bërë funksionale seancën, e cila dje u shoqërua me mungesë të kuorumit.

“Dje emri im u lakua në shumë media dhe portale nga një deklaratë emocionale dhe aspak e hijshme. Konjufca për disa deputetë të opozitës që qëndruan për aq sa unë ose edhe më pak nuk i paskan penguar, ose gjithë mllefin nga pamundësia për të koordinuar dhe bërë funksionale seancën vendosi, ta derdhte mbi mua” – tha deputetja Reshitaj.

Tutje Reshitaj ka thënë se ajo vjen në Kuvend për të përfaqësuar qytetarët të cilët e kanë votuar, duke shtuar se nuk është “deputete e mëditjeve”.

“Këtu është një defekt, një anomali. Nuk jam unë deputetja e mëditjeve. As për mëditje, as për rrogë nuk vi në këtë Kuvend. Jam këtu për ata që më kanë besuar dhe votuar. Nuk ke të drejtë të më ofendosh. Për dy mandate vetëm një vizitë kam pasur jashtë vendit. Shpresoj të tërhiqeni nga ato fjalë të pavërteta që keni thënë” – tha tutje Reshitaj.

Lidhur me këtë çështje, një kundërpërgjigje e ka dhënë kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca,

“Zonja Reshitaj ju më njihni dhe e dini që unë shumë rrallë bëj qortime publike, por ato i bëj kur ia teprojnë. Siç bëtë ju dje”- ishte reagimi i kryetarit të Kuvendit.

Të mërkurën, kryeparlamentari Glauk Konjufca ka kërkuar nga administrata e Kuvendit të Kosovës të mos i deponohet mëditja deputetes së AAK-së, Albena Reshitaj për shkak të mospjesëmarrjes së saj në seancë.

Sipas Konjufces, deputetja Reshitaj ka hyrë në seancë dhe ka qëndruar 10 sekonda.

Konjufca tha se “ajo qëndroi vetëm 10 sekonda në seancë”, Albena Reshitaj thotë se priti 30 minuta në bufe për t’u kthyer opozita

Konjufca: Reshitajt të mos i takojë mëditja sot, qëndroi në seancë 10 sekonda