Reshitaj i kërkon Edi Ramës anulimin e takimit me Vuçiqin

Deputetja e zgjedhur nga radhët e AAK-së, Albena Reshitaj, ka kërkuar anulimin e takimit të paraparë më 21 dhjetor në Durrës mes kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, dhe Presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq.

Në postimin e saj në Facebook, Reshitaj ka shkruar se 20 vite më parë, nën petkun e flamurit Shqiptar, u varrosën shumë fëmijë, pleq, gra e burra të pafajshëm, pas masakrës që cilësohet si njëra ndër ngjarjet më të tmerrshme që ka ndodhur në Ballkan.

Reshitaj ka komentuar tutje deklaratën e Presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq i cili ka mohuar masakrën e Reçakut.

“Pikë së pari, si një bashkëkombëse e juaja, por edhe si një deputete e zgjedhur e Kuvendit të Kosovës, kërkoj nga ju, që së paku në bazë të përgjegjësisë morale, të anuloni takimin tuaj të paraparë për 21 dhjetor në Durrës, me njeriun që në vend se të kërkoj falje, ai vazhdon t’i mohoj krimet e pushtetit të atëhershëm serb, pjesë e të cilit ishte edhe vet si ministër”, ka shkruar Reshitaj.

Ajo  shkruar se Edi Rama nuk duhet të ulet për të folur me Vuçiqin, deri sa ai të reflektojë për deklaratën e dhënë.

“Kjo nuk është fyerje vetëm për familjarët e viktimave, apo vetëm për shtetin e Kosovës, por është fyerje e rëndë ndaj të gjithë shqiptarëve”, ka përfunduar Reshitaj.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq kishte reaguar pasi Gjykata në Prishtinë e ka dënuar me dy vjet burg ish-ministrin e Administrimit të Pushtetit Lokal, Ivan Todosijeviq.

Ai e ka quajtur trillim maskrën e Reçakut duke thënë se dënimi i tij është i frikshëm.

“Është e frikshme. Të gjithë anëtarët e Listës Serbe do të përsërisin të njëjtën gjë, dhe unë e përsëris tani – krimin e fabrikuar në Reçak, ku gjithçka u falsifikua nga ai mashtrues me flokë të bardhë, një mashtrues si Walker, një mashtures”, tha Vuçiq para gazetarëve, raporton b92.

Pas kësaj deklarate të Vuçiq ka reaguar edhe Ambasada amerikane në Kosovë, e cila ka kërkuar kujdes në gjykimet në lidhje me deklaratat që jepen për masakrën e Reçakut.

Njësoj ka reaguar edhe Bashkimi Europian dhe UNMIK-u, të cilët kanë kërkuar që të balancohet liria e shprehjes me përgjegjësinë politik.

Kurse, Ambasada e Zvicrës dhe Fondi për të Drejtën Humanitare kanë dënuar deklaratën e Vuçiqit për Masakrën e Reçakut.

Por as reagimet në vend nuk kanë qenë të pakta.

Kryeministri në largim, Ramush Haradinaj, i ka quajtur jonormale deklarimet e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i cili masakrën e Reçakut e konsideron trillim.

Kurse, Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka reaguar duke thënë se gjenocidi, varret masive e masakrat janë e vërteta e Serbisë.

Avokati kosovar Tomë Gashi ka bërë të ditur për KALLXO.com se ka dorëzuar kallëzim penal në Prokurorinë Speciale të Kosovës ndaj presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i cili e ka mohuar masakrën e Reçakut në kohën e luftës në Kosovë.

Gashi kallëzimin penal e ka bërë në cilësinë e përfaqësuesit juridik të viktimave të Masakrës së Reçakut.

Ndërsa, ambasadorja e Kosovës në ShBA, Vlora Çitaku ka thënë se mohimi i masakrës së Reçakut nga Vuçiqi është çmenduri.

Më 15 janar të vitit 1999, forcat policore dhe ushtarake serbe kryen njërën ndër masakrat më të tmerrshme në vendin tonë.

20 vjet më parë në Reçak u vranë dhe u masakruan barbarisht 45 shqiptarë të paarmatosur. Ky krim i llahtarshëm tronditi gjithë opinionin ndërkombëtar