Elise Stefanik

Republikanët zgjedhin mbështetësen e ish-Presidentit Trump në pozitë udhëheqëse

Republikanët në Dhomën e Përfaqësuesve të Kongresit amerikan zgjodhën mbështetësen e ish-presidentit Donald Trump, Elise Stefanik në një pozitë udhëheqëse brenda tyre, në vend të zonjës Liz Cheney, të cilën e hoqën në fillim të kësaj jave, pas kritikave të saj ndaj pretendimeve të rreme të ish-presidentit për mashtrim zgjedhor.

36-vjeçarja Stefanik, ligjvënëse e shtetit të Nju Jorkut, u bë e njohur me mbrojtjen e fortë ndaj zotit Trump në gjyqin e parë për shkarkimin e tij, ndërsa zonja Cheney i zemëroi kolegët e saj republikanë duke refuzuar atë që ajo e quajti “gënjeshtër e madhe” e Trumpit për humbjen e tij në nëntor ndaj presidentit demokrat Joe Biden.

Rezultati i votimit, që u bë pas dyerve të mbyllura, rrit dominimin e zotit Trump mbi Partinë Republikane, edhe pse ajo humbi shumicën në të dyja dhomat e Kongresit gjatë kohës që ai ishte në Shtëpinë e Bardhë.

Zoti Trump po pozicionohet për të luajtur një rol me rëndësi në zgjedhjet për Kongresin vitin e ardhshëm, ndërkohë që ka hedhur gjithashtu idenë për të kandiduar përsëri për Shtëpinë e Bardhë në vitin 2024.

“Ai është një pjesë me rëndësi kritike e ekipit tonë republikan,” tha zonja Stefanik. “Unë besoj se janë votuesit që zgjedhin udhëheqësin e Partisë Republikane dhe Presidenti Trump është udhëheqësi që ata kërkojnë,” tha ajo.

Në garën për kryetar të Konferencës Republikane të Dhomës së Përfaqësuesve zonja Stefanik mundi ligjvënësin Chip Roy, i cili hyri në këtë garë të enjten mbrëma.

Nga ana e saj, zonja Cheney është zotuar se do të vazhdojë të luftojë për të mos lejuar që ish-Presidenti Trump të fitojë përsëri Shtëpinë e Bardhë në vitin 2024. VOA