Foto: Rtv21

Republikanët, kundër shtyrjes së zgjedhjeve në SHBA

Disa republikanë amerikanë kanë kundërshtuar sugjerimin e presidentit të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump se zgjedhjet presidenciale të muajit nëntor duhet të shtyhen, pas shqetësimeve për mashtrime.

Lideri i shumicës në Senat, Mitch McConnell si dhe lideri i republikanëve në Dhomën e Përfaqësuesve, Kevin McCarthy, kanë hedhur poshtë këtë ide.

“Kurrë në historinë e këtij shteti, nëpër luftëra, depresione dhe luftë civile, nuk jemi përballur me mosmbajtje të zgjedhjeve me kohë. Ne do ta gjejmë një mënyrë për ta bërë këtë gjë më 3 nëntor të këtij viti”, ka thënë McConnell.

McCarthy e ka përkrahur atë.

“Në historinë e zgjedhjeve federale, kurrë nuk ka ndodhur të mos mbajmë zgjedhjet dhe ne duhet të vazhdojmë tutje me zgjedhjet”, ka deklaruar ai.

Aleati i Trumpit, senatori Lindsay Graham ka thënë se shtyrja e këtij procesi, “nuk është ide e mirë”.

Presidenti Trump nuk ka autoritet për të shtyrë zgjedhjet dhe secili veprim i tillë do të duhet të miratohet fillimisht në Kongres.

Më herët gjatë ditës, presidenti amerikan ka sugjeruar se numri në rritje i votave me postë mund të ndikojë në mashtrime dhe rezultate të pasakta.

Ai ka thënë se procesi zgjedhor duhet të shtyhet derisa njerëzit të votojnë në “mënyrë të duhur dhe të sigurt”.

Megjithatë, ekzistojnë pak të dhëna që mbështesin pretendimet e Trumpit.

Disa shtete amerikane kanë thënë se synojnë në organizojnë votimet me postë për shkak të shqetësimeve të sigurisë pas përhapjes së koronavirusit të ri.

Sfiduesi i Trumpit në zgjedhjet e nëntorit është kandidati i Partisë Demokratike, Joe Biden/REL/