Ndërtesa e Kongresit.
Republikanët e Trumpit e marrin kontrollin e plotë të Kongresit
Donald Trumpi ka bërë emërimet kryesore derisa po përgatitet për kthim në Shtëpinë e Bardhë në janar, ka raportuar BBC.
Marco Rubio do të jetë sekretar Shteti në administratën e re republikane, derisa Tulsi Gabbard, ish-demokrate, është zgjedhur për drejtoreshë të inteligjencës kombëtare.
Kongresisti Matt Gaetz është emëruar prokuror i përgjithshëm – derisa menjëherë ka fuqizuar dorëheqjen prej kongresisti në Dhomën e Përfaqësuesve.
Republikanët tani projektohet se do ta kenë kontrollin e plotë të Dhomës së Përfaqësuesve, pas fitores që shënuan në garën për mandatet e Senatit në ditën e zgjedhjeve të 5 nëntorit.
Kjo nënkupton se partia e Trumpit do ta ketë kontrollin e Shtëpisë së Bardhë, por edhe të dy dhomave të Kongresit.
BBC-ja raporton se partneri i saj në SHBA, CBS ka projektuar se republikanët do ta marrin kontrollin e Dhomës së Përfaqësuesve.
Ata pritet t’i kenë së paku 218 mandate, të mjaftueshme për ta siguruar shumicën, por sipas projeksioneve numri i kongresistëve republikanë pritet të sillet ndërmjet 220 dhe 222 në Dhomën e Përfaqësuesve. Demokratët deri tani i kanë fituar 208 mandate.
Donald Trumpi pritet të ketë kontroll të plotë legjislativ për zbatimin e premtimeve me të cilat i fitoi zgjedhjet kundër zëvendëspresidentes demokrate, Kamala Harris.
Përgatiti: Rexhep Maloku – Kallxo.com