Republikanët e bllokojnë projektligjin për IVF-në në SHBA

Në Senatin e Shteteve të Bashkuara ka dështuar të martën (17.09.2024) miratimi i një projektligji që kishte për qëllim sigurimin e masave federale të mbrojtjes dhe zgjerimin e mbulimit të sigurimeve për trajtimet e fertilitetit për shkak se republikanët votuan kundër vetëm disa ditë pasi Donald Trump i befasoi mbështetësit kur shprehu zëshëm mbështetjen për një politikë të tillë, ka raportuar Reuters.

Projektligji dështoi me 51-44, meqë për aprovimin e tij duhej të kalohej pragu prej 60 votash, por që shumica e republikanëve votuan kundër tij për të dytën herë. Demokratët e kontrollojnë Senatin me epërsi të vogël 51 me 49.

Hartuesi i projektligjit, senatori demokrat, Tammy Duckworth, ishte munduar për herë të parë t’i siguronte votat e mjaftueshme në shkurt, pasi Gjykata Supreme e Alabamës kishte nxjerrë verdiktin se embrionet e përdorura në fertilizimin vitro, ose IVF, duhet të konsiderohen fëmijë, duke rrezikuar qasjen në trajtim që e kishin pasur miliona amerikanë në vit.

“Liria për të pasur kujdes reproduktiv po rrezikohet për miliona gra tjera, shpresa më e madhe e të cilave në botë është që të kenë një fëmijë të vogël të tyrin”, ka deklaruar Duckworth, i cili ishte bërë babai i dy vajzave të tij nëpërmjet trajtimit të fertilitetit, duke folur në foltoren e Senatit pas votimit të së martës, sipas kohës lokale amerikane. “Republikanët duket se kujdesen për mbrojtjen e jetës  vetëm kur supozohet se ajo konsiston prej disa qelizave në një friz mjekësor laboratorik”.

Kandidati republikan për president, Donald Trump, deklaroi në gusht se do të kërkonte prej qeverisë ose kompanive të sigurimeve të mbulonin IVF-në nëse do të zgjidhej president, duke i befasuar disa republikanë të linjës së ashpër për të cilët trajtimi është kundërthënës.

“Ne duam të prodhojmë bebe në këtë vend, apo jo?” – deklaronte Trumpi gjatë një aktiviteti të stilit të fushatës në La Crosse në Wisconsin.

Fushata e Trumpit nuk e ka komentuar kërkesën e Reutersit për koment pas votimit të së martës në Senat.

Përgatiti: Rexhep Maloku – Kallxo.com