Replikat për 'good guy' mes Haradinajt dhe Kurtit

Kryeministri Albin Kurti dhe ish-kryeministri Ramush Haradinaj janë përplasur sot në Kuvend se kush është “good guy”.

“Kryeministri tha mos shit moral. Unë vërtetë s’kam kujt me i shitë se i kisha shitë. Po atij që është bo ‘good guy’ më nuk di në çfarë drejtimi me i shitë moral ose me çfarë vlera për shkak se ‘good guy-ve’ nuk di. Di me ju shitë njerëzve që janë më të vërtetë edhe e dijnë çka po dojnë”, tha Haradinaj.

Ndërkaq, Kurti në replikën e tij iu drejtua Haradinajt duke i thënë se gjithmonë ka qenë ‘good guy’.

“Ju e dini shumë mirë unë gjithmonë kam qenë ‘good guy’. Pra absolutisht nuk ju kuptoj çfarë vlere paska mos me qenë ‘good guy’. Kam besuar në atë që kam thënë dhe kam vepruar sipas asaj që kam besuar, kjo të bën ‘good guy’”, është shprehur Kurti.

“Kur është situata tejet e rrezikshme për shtetin për kombin, po kam bë veprime radikale por, tash nuk është ajo situatë. Kur Kosova rrezikohet me shkëmbim territorial e ndarje, kur rrezikohet me ‘Zajdenicën’ normalisht që jam radikal por, sot nuk jam radikal, nuk ka nevojë”, shtoi ai.

Kreu AAK-së, Ramush Haradinaj, e ka kritikuar kryeministrin, Albin Kurti duke e quajtur ‘good guy’ në mënyrë ironike pasi sipas tij, po bën çka t’i thonë ndërkombëtarët.

Një ditë para se të hynte në fuqi vendimi të Qeverisë së Kosovës që qytetarët e Serbisë të pajisen me dokumentin për hyrje-dalje për në Kosovë, grupe të organizuara bllokuan rrugët për në pikat kufitare, në Jarinje dhe Bërnjak.

Përveç bllokimit të rrugëve, Policia e Kosovës kishte njoftuar se në natën e 31 gushtit kishte pasur sulme me armë ndaj Policisë së Kosovës, ndërsa disa qytetarë është raportuar se janë lënduar nga persona të maskuar dhe të pajisur me armë të gjata.

Qeveria e Kosovës pas kërkesës së ambasadorit amerikan, Jeff Hovenier, ishte zotuar që të shtyhet për 30 ditë zbatimi i dy vendimeve të reciprocitetit, nga momenti kur do të hiqen të gjitha barrikadat dhe të vendoset liria e plotë e lëvizjes në të gjitha rrugët në veri të Kosovës.