Replika në Kuvend mes Hotit dhe Bislimit për të hyrat buxhetore

1 miliardë e 940 milionë euro janë të hyrat buxhetore të Kosovës që nga fillimi i vitit.

Kështu ka njoftuar zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bisilimi në seancën e Kuvendit të Kosovës.

Bislimi tha se në vitin 2022 importi është rritur për 26% ndërsa eksporti 30% ndërsa theksoi se në thesarin e vendit aktualisht janë 697 milionë euro.

“Dua të dekonstruktoj një mit që po qarkullon se gjoja Qeveria e Kosovës nuk po i shpenzon paratë dhe po i ruan. Situata siç është sot është se të hyrat buxhetore deri tash janë 1 miliardë e 940 milionë euro apo 12.1% më shumë se vitin e kaluar ku të hyrat buxhetore kanë qenë 1 miliardë e 739 milionë euro. Shpenzimet buxhetore këtë vit janë 1.1 miliardë euro. Sot një vit në thesarin e Kosovës kemi pasur mjete 702 milionë euro ndërsa sot kemi 697 milionë euro. Pra kemi më pak. Është mirë me i ndalu deziformatat. Në tetë muajt e parë të vitit 2022 kemi rritje prej 26% në import dhe 30% në eksport”-tha Bislimi.

Ndaj kësaj deklarate ka reaguar deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti.

Ish-kryeministri shtoi se Kosova “do ta mbyllë vitin me suficit me bilancin më të madh bankar”.

“Shifrat tregojnë se ju keni thy rekordin e vetës me deficit tregtar. Të janë rrit eksportet për 150 milionë por tu ka rrit importi për 800 milionë euro… Me Serbinë i ke rrit për 30% ndërsa me Shqipërinë i ke ul për 10%… Do ta mbyllim vitin me suficit me bilancin më të madh bankar veç nëse i shpërndani në rrugë, ju jeni inteligjent dhe i kuptoni këto”- tha Hoti.