Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com
Replika ndërmjet LDK-së e LVV-së për kopjim të programit për arsim
Frashër Demaj, kandidat për deputet nga Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Blerim Gashani, kandidat për deputet në listën e Lëvizjes Vetëvendosje, kanë replikuar mes vete rreth programit për arsim në Debat Pernime.
Demaj i LDK-së ka thënë se partia e Albin Kurtit e ka kopjuar programin nga ta.
“Ky programi i Vetëvendosjes është kopje e programit qeveritar të Lidhjes Demokratike të Kosovës meqë, z. Gashani në cilësinë e përfaqësuesit të listës së zonjës Osmani, sepse nuk e di si ta quaj, sepse nuk e kanë emëruar me ndonjë emër të përveçshëm, është komplet i marrë nga programi i LDK-së. Gjithsesi, ne i llogarisim si pjesë e familjes sonë sepse aktualisht kanë një hidhnim e pastaj do të kthehen prapë në LDK”, ka thënë Demaj në Debat Pernime.
Por, me këtë nuk është pajtuar Gashani nga “Lista Vjosa”, që garon për deputet në listën e LVV-së.
“Kjo nuk ka të bëj me hidhërim e me gjëra banale, unë pyeta thjeshtë, ku kanë qenë deri më tani, sepse mendova që janë të ri në politikë”, është përgjigjur Gashani.
Por, ndaj reagimit është kundërpërgjigjur ish-deputeti, Frashër Demaj.
“Mua më vjen keq, që sonte po doni me marrë rolin e zhurmuesit, siç janë kuadrot e Vetëvendosjes, për të fituar ndonjë poenë politik”, është kundërpërgjigjur Frashër Dema i LDK-së.
Pjesë e debatit të sotëm janë: Frashër Demaj nga LDK, Blerim Gashani nga LVV Lista e Vjosës, Artan Berisha, Partia Liberale Egjiptiane (PLE) dhe ish zëvendësministër i Arsimit , Qerim Bajrami nga Vakat.
Debati transmetohet në orën 20:20 në RTV Dukagjini dhe drejtpërdrejt në Facebook të KALLXO.com.
Cikli i DebatPernime i moderuar nga Jeta Xharra do të mbahet gjatë dhjetë ditëve të fushatës zgjedhore për zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare në Kosovë, të cilat do të mbahen të dielën, me 14 shkurt.
Përballë Jeta Xharrës do të jenë kandidatët për deputetë nga partitë dhe koalicionet kryesore që garojnë në zgjedhjet e jashtëzakonshme të 14 shkurtit.