Replika mes deputetëve të LVV-së e PDK-së për çështjen e policëve

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Dimal Basha, tha se gjendja që është në polici dhe shëndetësi është si pasojë e subjekteve politike ku shumica e qeverisjes sipas tij është bërë prej PDK, LDK, AAK, AKR.

Sipas Bashës, është hipokrizi nëse këto dy subjekte e shprehin gjendjen e keqe të policisë sot në seancë.

“Sot me ardh me lujt viktimën që janë keq është hipokrizi. E dyta problem me policinë janë edhe sigurimet shëndetësore. Problemet në polici janë edhe avancimet në polici. Këtë reagimin e zellshëm të  PDK-së nuk e kam pa asnjëherë kur djemt e Adem Grabovcit kanë dal e kan rreh polic në rrugë”, tha ai.

E replikën pas kësaj deklarate e ka bërë Bekim Haxhiu nga PDK-ja.

“Zoti Dimal, ka kalu koha që tu e sha PDK-në keni me marrë vota edhe tu e përmend Adem Grabovcin. Unë po ju rikujtoj a e mbani mend sa policë të Kosovës i keni përgjakë, sa policë i keni shtru në spital për qëllime tuaja politike. Ti me ardh me vajtu për një konflikt të dy adoleshentëve e ke gju sa ke mujt gur në polici e jeni përleshur i keni ngreh zhag dhe lideri juaj iu është flug policëve trotuarëve tu i ndjekë e tu i qujt idiotë e ti më bëhesh këtu mbrojtës i policëve”, ka përfundu Haxhiu.

E Basha ia riktheu se policia i ka këto probleme si pasojë e keqmenaxhimit të PDK-së e LDK-së.