Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Replika mes deputetëve për programin e Qeverisë Kurti 2

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Fitim Uka ka thënë që Qeveria Kurti ka trashëguar pushtetin e një qeverie ilegale.

Uka tha se shumë projekte që janë nisur duhet që të kthehen prapa.

Ai kërkoi të dijë nga opozita sa ishin në Qeveri sa për qind të programeve i kanë realizuar.

“Do të ishte e lehtë nëse qeveria do të trashëgonte punën e mirë. Por kjo qeveri e trashëgon pushtetin nga një qeveri ilegale. Shumë projekte që janë nisur duhet të bëhet një kthim prapa. Është e pa kuptimtë që te flasim se ku duam të shkojmë pa e kuptuar se ku jemi sot. Ju keni qenë këtu keni shkruar programe. Sa për qind e plan programeve tuaja i keni realizuar”, tha Uka.

Uka ka folur edhe për sistemin e arsimit, duke thënë se për reforma në arsim duhet vullnet e kreativitet.

“Ata që po mbajnë ligjërata sot duhet ta kuptojnë se nuk ka reformë më të madhe pa përfshirjen e reformës së arsimit. Në këtë Kuvend deputetet që sot flasin për reforma kanë refuzuar kërkesën e LVV për asistent të fëmijëve me nevoja te veçanta. Jam i bindur që për shumë reforma të thella në arsim nuk ka nevojë për shumë buxhet por vetëm për vullnet e kreativitet”, tha Uka.

Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami ka replikuar ndaj deputetit Fitim Uka, për temën e arsimit.

Ajo tha se nuk pajtohet me të gjitha konstatimet e tij.

“Sa i përket reformës në arsim ne nuk kundërshtojmë reformën në arsim. Me të gjitha këto premtime sa do të jetë më i madh buxheti”, tha ajo.

Për arsimin në Kosovë ka folur edhe deputeti i PDK-së, Uran Ismaili.

Ismaili kërkoi që kur pozita ta lavdojë programin, të paktën ta kritikojnë edhe ku duhet.

“Fëmijët po marrin mësim aq sa po kanë mundësi financiare prindërit me i mbështetë…. Po apeloj përmirësoni gabimin… Kjo kokëfortësi mos profesionalizëm do t’i dënojë gjeneratat”, tha Ismaili.