Rëntgeni për dhëmbë në QKMF-në e Vushtrrisë jashtë funksionit që nga janari

Zero është numri i rëntgenëve për dhëmbë të kryer në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në qytetin e Vushtrrisë tash e 10 muaj. Pacientët që kanë pasur nevojë të kryejnë rëntgen për dhëmbë nuk kanë mundur ta bëjnë atë që nga janari i 2022.

Kjo pasi që aparati/pajisja i nevojshme për realizimin e këtij shërbimi është prishur.

Në raportin e shërbimeve shëndetësore në QKMF, janar-qershor 2022 numri i pacientëve që kanë kërkuar ndihmë mjekësore të ndryshme është i madh.

QKMF Vushtrri

Drejtori i shëndetësisë në këtë komunë, Nexhmedin Rashica tha për KALLXO.com se rëntgeni nuk mund të riparohet dhe se kërkesën për blerjen e tij nuk e ka aprovuar ende zyra e prokurimit.

“Rëntgeni është në defekt nuk riparohet më. Më 27.05.2022 kemi iniciuar kërkesën për blerjen të Rtg-së së bashku me pajisje mjekësore, nuk është aprovu kërkesa nga ana e prokurimit deri më tani. Shpresojmë se së shpejti do të realizohet, e dinë prokurimi nevojën për furnizim sa më të shpejtë për pajisje mjekësore”- tha Rashica për KALLXO.com

Rashica theksoi se vonesat në aprovimin e buxhetit kanë lënë pasoja ndërsa shtoi se shërbimin për rëntgen të dhëmbit vushtrriasit mund t’a kryejnë në QKMF në Mitrovicë.

“Vonimi i aprovimit të buxhetit na ka lënë pasoja, numri i shumtë i lëndëve të iniciuara përnjëherë e tash po shqyrtohen me radhë. Procedurat e zgjatura të tenderimit po na vështirësojnë punën. Sa i përket shërbimeve për Rtg. të dhëmbëve mund t’a kryejnë pacientët në QKMF në Mitrovicë, kur Rtg i yni është në defekt. Nga prokurimi më lajmëruan që lënda është në fazën e finalizimit, shpresojmë që së shpejti do të sanohet edhe ky problem”- tha drejtori i shëndetësisë.