Renovohen 300 hyrje të banesave në ‘Breg të Diellit’, edhe 200 në pritje

Departamenti i Mirëmbajtjes dhe Investimeve në Ndërmarrjen Publike Banesore dhe kryetari i komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, kanë mbajtur konferencë për media pas renovimit të 300 hyrjeve të ndërtesave në lagjen ‘Bregu i Diellit’.

Ahmeti ka thënë se deri tani janë renovuar 300 hyrje dhe janë në listë të pritjes edhe 200 tjera që pritet të përfundojnë deri në vitin e ardhshëm.

“Kjo po bëhet në mënyrë të qetë, por është një përmirësim i dukshëm i kushteve të jetës në hyrjet kolektive sepse rregullohen dyert, çelësat, ndriçimi, shkallët, lyerja, kabllot e internetit. E kemi cekur që punohet me një kosto mujore, që për ne nuk ka thuajse aspak profit sepse po mundohemi të japim shërbime për qytetarët. I kemi edhe 200 hyrje tjera të banesave në listë të pritjes dhe pritet që të përfundojnë deri në vitin e ardhshëm”, ka thënë Ahmeti.

Tutje sipas të parit të Prishtinës, kërkesë e madhe e banorëve është edhe pajisja me ashensor por, sipas tij shumica nuk kanë hapësirë për të.

“Nuk e di sa do mund ta zgjidhim ne këtë, por do mundohemi të ndihmojmë me bashkëinvestim të banorëve. Arsyeja është se një pjesë e madhe këtyre banimeve nuk kanë hapësirë për ashensor dhe duhet të bëhen improvizime”, ka shtuar Ahmeti.