Ilustrim

Renovimi i shtëpive si zgjidhje afatgjate për të ndihmuar efiçiencën energjetike

Konsorciumi i Shoqërisë Civile për Zhvillim të Qëndrueshëm në Kosovës (KOSID) ka publikuar raportin me titull ‘Kah po shkon sistemi energjetik i Kosovës?’.

Sipas këtij raporti Kosova ‘industria aktuale e energjisë në Kosovë vazhdon të vuajë nga inefiçienca dhe humbjet masive në rrjetin e shpërndarjes e cila llogaritet të jetë rreth 18%”.

Në këtë raport citohet se renovimi i shtëpive shihet si një zgjidhje për të ndihmuar efiçiencën energjetike dhe për uljen e konsumit të shpenzimeve për konsumatorët.

“Renovimi i shtëpive shihet si një zgjidhje afatgjate për të ndihmuar efiçiencën energjetike edhe për uljen e konsumit e të shpenzimeve për konsumatorët. Kjo do të gjeneronte vende të reja pune e do të mundësonte rritje ekonomike duke mbështetur bizneset, e përfundimisht do të kontribuonte në uljen e ndotjes”, thuhet në raport.

KOSID në raport përmend edhe të dhëna nga Termoksi në lidhje me kyçjet në sistemin e ngrohjes qendrore.

Në raport thuhet se ‘është për keqardhje fakti që shtrirja e rrjetit të ngrohjes qendrore ka qenë tepër e ngadalshme në Kosovën e pasluftës’.

“Sipas Termokosit, në vitin 1999 kjo ndërmarrje i ka pasur 9,200 konsumatorë e sot i ka 15,779 konsumatorë pas shumë investimeve nga BE, Banka Gjermane për Zhvillim (KfW), Qeveria e Luksemburgut dhe Komuna e Prishtinës. Pra vetëm 6,579 konsumatorë janë kyçur në rrjetin e ngrohjes pas luftës në Kosovë, që do të thotë se nuk është bërë as dyfishimi i kapaciteteve të ngrohjes përderisa në të njëjtën kohë banimi dhe ndërtimi në Prishtinë është lejuar të pesëfishohet edhe atë pa respektuar standardet e ndërtimit e izolimit”, thotë raporti.

Menaxhimi i ndryshimeve klimatike në Kosovë dhe rrjedha e sistemit energjetik të Kosovës janë temat kryesore të shtjelluara në këtë raport.

KËTU mund të gjeni raportin e plotë të publikuar nga KOSID.