Nenad Rashiq në Komunën e Mitrovicës së Veriut, 15.01.2025, Foto: Florinda Kelmendi/ KALLXO.com

Renovimi i shtëpive në veri, ministri Rashiq e quan "të improvizuar" mënyrën se si punon MAPL

Në një takim informues në Komunën e Mitrovicës së Veriut mbi statuset e regjistrimit civil, ku ishte i pranishëm ministri Nenad Rashiq, asamblisti i Iniciativës Qytetare, Betim Osmani ngriti çështjen e renovimit të banesave në Mitrovicën e Veriut, rindërtimin e shtëpive të djegura gjatë luftës e kthimin e qytetarëve shqiptarë në këto vendbanime.

Sipas këtij të fundit, ministritë nuk janë duke punuar në këtë drejtim.

“Këto ministritë që po ndërtojnë, shumica as ujin e kanalizimin nuk janë duke e rregulluar nëpër shumicën e këtyre ndërtimeve që po ndodhin. Nuk e di sa jeni të informuar ose sa doni me u involvu në këtë çështjen e kthimit. Se me këtë trend të kthimit ne do të presim edhe dhjetë vite për t’u kthyer në pronat tona. Aq dobët edhe ngadalë është duke funksionu kthimi në veriun e Mitrovicës”- tha ai.

Ministri për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiq, tha se mënyrën se si punon ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, e konsideron të improvizuar, duke potencuar se “nuk dua të punoj kështu”.

“Këto dy vitet e fundit e konsideroj temën komplekse dhe ju duhet më shumë kohë për të iniciuar. Ne e kemi pranuar trashëgiminë dhe me kaq duhet të merremi… mendoj se kur të fillojmë me rikthim në Mitrovicë duhet të jemi mjaft të organizuar dhe më lejoni të them qartë se nuk do të ketë konfuzion. Unë mendoj se mënyra se si funksionon Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal, kolegu im i nderuar Elbert, është për mendimin tim, të improvizuar. Nuk dua të punoj kështu. Unë dua të punoj me elementet që përmende, jo një shtëpi si e tillë, por me pajisje percjellëse si edhe mobilje…”- u shpreh Rashiq.

Në dhjetor të vitit të kaluar, kryetari i Mitrovicës së Veriut, Erden Atiq, kishte thënë se Komuna e tij nuk ka fonde për renovimin e rreth 40 banesave në Mitrovicën e Veriut.

Gjatë debatit në “Jeta në Komunë”, Atiq ka thënë se për këto renovime e pret ndihmën e Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL).

“Ministria, njëra prej ministrive me gjasë më të madhe Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal, do ta bëjë renovimin e ndërtesave të cilat i ka liruar Agjensioni për Verifikimin e Pronës, nën një. Nën dy edhe ne si Komunë kemi kërkesa, nuk shkon një javë dy, në javë një herë minimumi kam takim me qytetarët që kërkojnë sanimin. Nuk kemi pare, me pasë pare e kishim bo, por s’kemi”- kishte thënë Atiq.

Në shtator të vitit 2023, Qeveria e Kosovës ka marrë vendim për rindërtimin dhe renovimin e shtëpive individuale në Mitrovicë të Veriut për familjet të cilave u janë dëmtuar shtëpitë gjatë periudhës kohore 1998-1999.

Më 23.11.2023 është hapur thirrja për ndërtimin e shtëpive në veri, Qeveria ka miratuar kërkesën e Ministrisë për 1 milion euro.