Albin Kurti, Foto: Qeveria e Republikës së Kosovës

Renovimi i banesës në Norvegji ia rrit borxhin Albin Kurtit

Brenda tre vitesh, shefi i qeverisë kosovare, Albin Kurti, deklaroi katër herë pasurinë pranë Agjencisë Kundër Korrupsion. Por, ajo që bie në sy në deklarimin e fundit është borxhi i cili është rritur për blerjen e banesës në Oslo të Norvegjisë.

Në deklarimin e vitit 2019, Kurti kishte deklaruar se detyrimet financiare për blerjen e apartamentit janë 270 mijë euro. Ndërsa, në deklarimet e vitit 2020, të cilat i kishte bërë më 03 mars dhe 02 korrik, borxhi për të njëjtën banesë kishte shkruar duke u zvogëluar. Kështu, siç përshkruhej në mars të vitit të kaluar borxhi ishte 242 mijë e 224 euro, rreth 27 mijë euro më pak se një vit më parë.

Borxhi u ulë edhe në deklarimin e korrikut të 2020-tës. Sipas të dhënave të prezantuara, Kurti kishte borxh për blerjen e banesës në Oslo 231 mijë e 961 euro, apo 10 mijë e 263 euro më pak.

Deklarimi i pasurisë nga Albin Kurti në vitin 2020  Të dhënat: AKK

Por, ky borxh u rrit në deklarimin e fundit të Albin Kurti në Antikorrupsion. Siç është përshkruar në formularin e deklarimit, Kurti tani ka detyrime financiare prej 300 mijë eurove, 68 mijë euro më shumë se në vitin paraprak.

Në një përgjigje për KALLXO.com, zyra për medie e kryeministrisë ka thënë se rritja e borxheve ka të bëjë me investimet që janë bërë në apartamentin i cili është pronësi të bashkëshortes së kryeministrit kosovar.

“Me lejoni të ju njoftoj se arsyeja pse detyrimet financiare në lidhje me apartamentin në Oslo janë me të mëdha këtë vit ka të bëjë me renovimet e brendshme në banesë”, ka thënë Përparim Kryeziu, zëdhënës i qeverisë.

Por, këto renovime të brendshme, Kurti nuk i ka deklaruar fare në deklarimin e tij në AKK.

Deklarimi i pasurisë nga Albin Kurti në vitin 2021 Të dhënat: AKK

Nga ky vit, Albin Kurti paguan edhe për një shtëpi me qira e cila është 250 euro për muaj.