Ilustrim

Rënie e rasteve të brendshme me coronavirus në vendet aziatike

Koreja e Jugut, Kina dhe Singapori janë në mesin e vendeve aziatike që po përballen me valën e dytë të coronavirusit, të shkaktuar nga njerëz që e importojnë atë nga jashtë.

Kina, ku coronavirusi është paraqitur për herë të parë, ka konfirmuar se të mërkurën nuk ka pasur asnjë rast të ri të brendshëm – për herë të parë prejse ka nisur shpërthimi i sëmundjes në dhjetor të vitit të kaluar.

Komisioni Kombëtar i Shëndetit në Kinë ka thënë po ashtu se nuk ka asnjë rast të infektimit në Vuhan, qytetin që ka qenë epiqendër e shpërthimit.

Megjithatë, autoritetet kineze kanë raportuar për 34 raste të reja në mesin e njerëzve të kthyer së voni në Kinë.

Singapori po ashtu ka raportuar për 47 raste të reja, prej të cilave 33 janë importuar.

Në Korenë e Jugut ka pasur 152 raste të reja të enjten, edhe pse nuk është e qartë se sa prej tyre janë importuar.

Në Japoni, ndërkaq, janë raportuar vetëm tre raste të reja të mërkurën.

Sipas një vlerësimi të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, epiqendër e coronavirusit tani është Evropa.

Vendet e goditura më së keqi në këtë kontinent janë Italia dhe Spanja.

Në total, në gjithë botën janë mbi 220,000 raste të konfirmuara me coronavirus dhe mbi 8,800 njerëz të vdekur. /REL