Rënie e ndjeshme e të prekurve me COVID-19 gjatë 24 orëve në Kosovë

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike nëpërmes raportit ditor ka njoftuar se nga 1,494 mostra të testuara, 49 prej tyre kanë rezultuar pozitivë me SARS-CoV-2.

“Rastet pozitive janë nga komunat: Prizren 11 raste, Ferizaj 8 raste, Drenas 6 raste, Mitrovicë 4 raste, Podujevë 4 raste, Prishtinë 4 raste, Vushtrri 4 raste, Fushë-Kosovë 2 raste dhe me nga një rast komunat Gjakovë, Gjilan, Istog, Kamenicë, Pejë dhe Shtime”, thuhet në njoftim.

Instituti ka njoftuar se tre persona kanë vdekur me COVID-19 përderisa 346 janë shëruar.

Aktualisht në Kosovë janë 6,102 raste aktive me coronavirus.

Numri total i rasteve pozitive është 106,538 raste nga 557,859 persona të dyshimtë në virusin SARS-CoV-2 dhe 2,213 raste të vdekjes.

COVID-19 është sëmundje ngjitëse e cila transferohet te tjetri përmes spërklave të cilat përhapen në ajër përmes të folurit, kollitjes apo teshtitjes. Ky virus nisi të përhapet në fund të vitit të 2019.

Bartja e maskave, mbajtja e distancës sociale prej së paku 1.5 metra dhe higjiena personale janë mënyra më e mirë për mbrojtje nga infeksioni COVID-19.