Rëndohet situata me vërshimet në Gjakovë, evakuohen 9 familje

Nëntë familje me rreth 70 anëtarë janë evakuuar të premten mbrëma nga lagja “Shotë Galica” në Brekoc të Gjakovës, si pasojë e reshjeve të pandërprera që kanë rrezikuar shtëpitë e tyre nga përmbytjet.

Komisioni komunal i formuar nga kryetari i komunës sot, ka njoftuar se këta banorë do të strehohen përkohësisht në ambientet e Aeroportit të Gjakovës.

“Për transportin, vendosjen e tyre, ushqimin dhe pajisjet tjera të nevojshme është përkujdesur komuna e Gjakovës, ndërsa nuk ka munguar edhe përkrahje e pjesëtarëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës, të cilët po ashtu kanë kontribuar në strehimin e këtyre familjeve. Ndërsa për nesër është paraparë edhe një vizitë rutinore shëndetësore nga ekipet e QKMF-së së Gjakovës”, ka njoftuar Kuvendi Komunal i Gjakovës në Facebook.