COVID-19

Rëndohet situata katër pacientë në gjendje të rëndë një në gjendje kritike

Nëntë persona të cilët janë prekur nga Covid- 19 po vazhdojnë të trajtohen në Klinikën Infektive në Prishtinë.

Këtë e ka konfirmuar për KALLXO.com, infektologu Shemsedin Dreshaj.

“Në Klinikën Infektive deri më tani janë duke u trajtuar nëntë pacient të infektuar, katër prej tyre janë në gjendje të rëndë, një është në gjendje kritike dhe tre të tjerë me oksigjeno-terapi”, tha Dreshaj për KALLXO.com.

Ai tutje ka shtuar se të gjithë të infektuarit të cilët po trajtohen në Klinikën Infektive janë të moshës së shtyrë.

“Të gjithë janë mbi 60 vjeçar”, tha Dreshaj.

Dreshaj ka folur edhe për personat të cilët janë në pritje të rezultateve për Covid- 19.

“Aktualisht janë katër raste të cilët janë në pritje të rezultateve”, tha Dreshaj.

Sipas Dreshajt, gjendja me pandeminë në vendin tonë po shkon drejt fundit.

“Besoj se jemi drejt rënies së pandemisë,njëjtë sikurse vendet e rajonit të cilët poashtu kanë pak raste me persona të infektuar me virus”, ka thënë Dreshaj për KALLXO.com.uk