Rektori i UP-së refuzon të marr pjesë në mbledhje ku do të bëhet vlerësimi i performancës së tij, menaxhmenti i bën publike komentet që u ngritën nga Kryesuesi i KD-së

Menaxhmenti i lartë i Universiteti të Prishtinës “Hasna Prishtina” ka bërë publike komentet lidhur me çështjet e ngritura nga Kryesuesi i Këshillit Drejtues, Altin Sahiti, pas refuzimit të Rektorit Naser Sahiti për të marr pjesë në mbledhjen që është paraparë të mbahet sot.

Në këtë mbledhje është thënë se do të bëhet vlerësimi i performancës së rektorit Sahiti.

Kryesuesi i KD-së, siç thuhet në njoftim, dje ka dërguar një e-mail në të cilën ka përmbledhur, siç i cilëson ai “Çështjet që tregojnë performancën e menaxhmentit të lartë në UP”.

Tutje u tha se anëtarëve të KD-së dhe Rektorit u është dërguar vetëm rendi i ditës pa ndonjë dokument lidhur me vlerësimin e performancës apo me gjetjet eventuale.

Por, pasi në opinionin publik janë ngritur dilema lidhur me qëllimin e organizimit të mbledhjes, inicimin e shkarkimit të Rektorit, dhe mungesës së fakteve mbi të cilat do bazohej diskutimi lidhur me vlerësimin e performancës, Kryesuesi i KD-së ka dërguar një e-mail tjetër ku ka përmbledhur komentet.

“Meqenëse Rektori i UP-së ka deklaruar se nuk do të marrë pjesë në këtë mbledhje, për shkak se është thirrur në kundërshtim me procedurën që parashihet në Statut, për hir të informimit të opinionit, menaxhmenti ka vendosur t’i publikojë komentet lidhur me çështjet e ngritura nga Kryesuesi i KD-së”- thuhet në njoftim.

Këto komente u tha se janë përcjellë edhe tek anëtarët e KD-së për të hequr dilemat e mundshme rreth performancës së menaxhmentit te anëtarët të cilët sapo kanë filluar mandatin.

Këto janë 20 komentet që Kryesuesi i Këshillit Drejtues ka ngritur, e që u publikuan sot nga menaxhmeti i lartë i UP-së:

  1. Përsëritja e të gjeturave të Auditorit, mos-adresimi i çështjeve përmes planit të veprimit. Në vitin 2019 kishte 9 gjetje, ndërsa për vitin 2020, kishte gjithsej 16 gjetje dhe në vitin 2021 kishte 8 gjetje që tregojnë qartazi mos-adresimin e gjetjeve të Auditorit;
  2. Vazhdimi si Ushtrues Detyre të ish Sekretarit të Përgjithshëm pa njoftim të Këshillit Drejtues duke vendosur në lajthitje ligjore Këshillin Drejtues. Pozicionimi dhe insistimi subjektiv për vazhdim të mandatit jashtëligjshëm të Ish-Sekretarit;
  3. Mungesa e monitorimit të zbatimit të Rregulloreve të aprovuara nga ana e KD;
  4. Mungesa e Strategjisë për ndërkombëtarizim të UP. Mos krijimi i kushteve, përkatësisht mos krijimi i potencialit për regjistrimin e studentëve ndërkombëtarë;
  5. Mos adaptimi i praktikave të ndryshme ndërkombëtare të cilat do të përshtateshin në funksion të përmirësimit të cilësisë në përgjithësi dhe ndjekjes së trendit global të dijës;
  6. Mos-aktivizimi i kartelës së performancës të stafit akademik, duke lejuar që cilësia të vazhdoj të bie brenda në Universitet;
  7. Neglizhenca ne krijimin e partnerëve strategjik (industria, ekonomia e tregut në përgjithësi);
  8. Dështim në krijimin e mekanizmave për gjenerim të të ardhurave tjera/donacioneve;
  9. Dështim në tërheqjen e talenteve, mendjeve të ndritura nga e gjithë bota – fitimi i trurit;
  10. Mos-adresimi i rënies së vazhdueshme të numrit të studentëve, që për 4 vite ka më pak 9,400 Studentë;
  11. Probleme dhe jo transparencë në publikimin e shpenzimeve, e në veçanti problemeve që lidhen me prokurimin publik; siç është rasti i projektit te drenazhimit të fakultetit Filozofik, FSHMN dhe Filologjik;
  12. Mos-përmbushja e pozitave kruciale që ushtrojnë kontroll mbi Universitet, si psh: Stafi i Departamentit të Auditimit të Brendshëm është lejuar që disa vite të jetë vetëm një person etj;
  13. Lejimi i marrjes së Mbi-Normave për staf akademik, duke mbyllur Universitetin për Rekrutime të reja në staf akademik njëkohësisht duke i vështirësuar programet në akreditim;
  14. Problemet me Fakultetin e Mjekësisë në lidhje me zbatimin e Rregullores për të Ardhurat Personale, ikja nga përgjegjësia;
  15. Mos-përfundimi i projekteve kapitale që kanë tejkaluar afatet kohore sipas kontratës, si psh. Ndërtesa e Fakultetit të Bujqësisë ku për funksionalizim të saj është marrë direkt Këshilli Drejtues;
  16. Mos zbatimi i planit të veprimit për përmbushjen e objektivave strategjike sipas strategjisë 2020-2022;
  17. Rënia në rankimin e WEBOMETRICS. Duke mos pasur një plan konkret në lidhje me përmirësimin e kësaj renditje UP nuk ka pasur ngritje në renditje në WEBOMETRICS;
  18. Mungesa e vlerësimit të stafit të administratës, përpos pozitës së Sekretarit të Përgjithshëm të Universitetit të Prishtinës ku edhe për kundër qeverisjes së Universitetit me vërejtje të një pas njëshme nga Auditori i kishte dhënë vlerësim maksimal duke kryer një vlerësim subjektiv;
  19. Vendosja e si Drejtor të Zyrës Ligjore Ish-Sekretarin pas pushimit të mandatit tek pozita jashtë ligjshëm pasi që pozita e njëjtë në më shumë se 4 vite nuk ka pasur Drejtor;
  20. Së fundi, mos marrja e masave në lidhje me pozitat e hapura për Sekretar të Përgjithshëm të shpallur jashtëligjshëm (të konfirmuara), si dhe po ashtu 5 pozita për staf administrativ të shpallur po ashtu jashtëligjshëm (të konfirmuara). Vetëm pas insistimit të Këshillit Drejtues ato pozita u ri-shpallën bazuar në ligj.