Naser Sahiti. Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Rektori i UP-së: Ka rënie të numrit të aplikantëve për studime në UP

Rektori i ri i Universitetit të Prishtinës, Naser Sahiti, sot gjatë mbledhjes së Senatit tha se këtë vit akademik ka më pak aplikantë që duan të ndjekin studimet në njësitë akademike në UP.

“Numrat nuk i kam të gjithë. Disa që kanë ardhur paraprakisht që kanë aplikuar vërejmë se është reduktuar dukshëm për një mori arsyesh si migrimi, pandemia, aplikimi në universitetet tjera. Do të përmisohej nëse do të bënim një promovim më të mirë”, tha Sahiti.

Në pyetjen e studentit nga Këshilli Studentor se a ka ulje të numrit të aplikantëve në degët deficitare si në shkencat e natyrës, teknikës dhe bujqësisë dhe se a është faktor për këtë ulje ndryshimi i programeve, Sahiti tha se do të hartojnë dy studime për kërkesat e tregut të punës dhe orientimin e studentëve.

“Kur të bëhet ai studim dhe të dalin rezultatet konkrete kemi bazë të kandidatëve se kjo i pret nëse studiojnë në këtë fakultet apo në fakultetin tjetër. Kjo do të ndihmojë në orientimin e studentëve” tha Sahiti.