Rektori i Universitetit të Ferizajt merr pjesë në fushatën e zyrtarit të PDK-së

Kryetari i degës së Partisë Demokratike të Kosovës në Drenas, Sejdi Hoxha, sikur shefi i partisë së tij, Kadri Veseli, ka nisur takime në terren temë bosht e diskursit të tij është lufta kundër korrupsionit.

Në një fotografi të publikuar në faqen e tij zyrtare, Sejdi Hoxha, u pa në një takim me disa studentë ndërkohë në tavolinë me ta shihej edhe rektori i Universitetit të Shkencave të Aplikuara në Ferizaj, Agron Bajraktari.

“Sot pata kënaqësinë qe të takoj një grup studentesh të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina””, shkroi Sejdi Hoxha në “Facebook” më 23 gusht të këtij viti.

“PDK, ka prioritet luftën kundër korrupsionit dhe nepotizmit, si dhe krijimin e një perspektive të re për rininë e vendit tonë!”, thuhet tutje në postimin e kryetarit të PDK-së në Drenas.

KALLXO.com ka provuar të kontaktojë me Hoxhën për ta pyetur rreth prezencës së rektorit Agron Bajraktari në takimet e tij, por në vend të tij është përgjigjur shoferi i tij.

“Është në një takim, për çka po ju duhet? Do t’i tregoj që e keni thirrur”, ka thënë ai.

Por, Hoxha nuk është përgjigjur edhe pas disa thirrjeve të redaksisë.

Në një përgjigje përmes e- mail, Agron Bajraktari, rektor në UShAF, pa dashur të komentojë fotografinë dhe takimin me zyrtarin e PDK-së, ka thënë se ai nuk është pjesë e ndonjë partie politike.

“I nderuar, unë nuk kam qene kurrë dhe nuk jam anëtar i asnjë partie politike!”, ka thënë shkurt ai, duke mos u përgjigjur se cila ishte arsyeja që ai u bë pjesë e atij tubimi të zyrtarit të PDK-së.

Ndryshe, Sejdi Hoxha është ligjërues në Universitetin e Shkencave të Aplikuara të Ferizajt ndërkohë kohë më parë ka dhënë dorëheqje nga pozita e kryeshefit në Postë.