Rektori i ri i UP-së, Arben Hajrullahu, Foto: KALLXO.com
Rektori Hajrullahu me thirrje për studentët: Mos bini pre e dezinformatave
Pas kërkesës së Parlamentit Studentor për afate shtesë të provimeve dhe thirrjes për bojkot të mësimit, Rektori i Universitetit të Prishtinës, Arben Hajrullahu ka mbajtur konferencë për media.
Hajrullahu ka thënë se është i gatshëm të bisedojë me studentët e Universitetit të Prishtinës, por siç tha ai, pa shkelur normat rregullative të Universitetit të Prishtinës.
Hajrullahu tha se pas mbledhjes së komisionit, e kanë braktisur mbledhjen dhe siç tha ai, brenda pak sekondave kanë njoftuar për protestë të martën.
“Mos të bien pre e dezinformatave, lajmeve të rreme. Këtu ka keqkuptime të qëllimshme nga grupe të caktuara, të cilat siç duket janë gjithçka tjetër se sa të interesuara për me pa që Universiteti i Prishtinës është duke lëvizë nga zhvillimi i mëtutjeshëm” – tha Hajrullahu, të premten, më 08.11.2024.
Rektori Hajrullahu pati kritika edhe për një pjesë të stafit akademik, për çka tha se “po i fusin studentët në gërshërë”.
“Jemi në këtë situatë ku e kemi një student ku për shkak të sjelljes arbitrare dhe për shkak të mos-përmbushjes së obligimeve kontraktuale nga stafi akademik, i kanë futë studentët në një situatë të gërshërëve, mirëpo unë nuk do të lejoj këtë”- tha ai.
Thirrjet për protesta, rektori i ri i ka quajtur lajme të rreme që sipas tij, po nxisin studentët të dalin në rrugë për të protestuar, por që thotë se studentëve nuk po iu mohohen të drejtat.
“Janë burimet e përhapjes së lajmeve të pavërteta, lajmeve të rreme duke tentu me i keqpërdorë studentët për me dalë në protesta e në rrugë, kinse po ju mohohen të drejtat, studentëve nuk iu mohohen të drejtat, ne kemi një statut të ri, ky statut i ri na obligon neve me u sillë konform bazave edhe normave, kornizave ligjore të cilat janë” – deklaroi Hajrullahu.
Ndonëse nuk tregoi qartë, mirëpo Hajrullahu u shpreh se një numër i punonjësve të Universitetit për dekada me radhë kanë keqpërdorur detyrën e tyre, duke mos i përmbushur detyrat e tyre si profesorë.
“Pa studentë, ne nuk kemi universitet dhe nuk janë studentët targeti, nuk janë caku që të goditen, mirëpo siç duket, edhe pse një numër shumë i vogël i punonjësve të Universitetit të Prishtinës që kanë arritur për vite e për dekada me keqpërdor e me zhvatë fondet publike, duke mos i përmbushë detyrat e tyre si profesorë e duke mos i vlerësu studentët në mënyrë të vazhdueshme” – u deklarua Hajrullahu.
Tutje ai tha se është i gatshëm që të bisedojë me studentët për brengat e tyre dhe se thotë se dyert e Rektoratit janë gjithmonë të hapura për ta.
“Profesorët që nuk i kanë përmbushë obligimet e veta kontraktuale, kanë hy në një lloj pazari me studentë, ne po bëhemi kinse po iu ofrojmë juve provime, kishe po ju ofrojmë juve ligjërata edhe ne po ashtu ua mundësojmë të ashtuquajturat afate të paligjshme” – ka thënë ndër të tjera Hjarullahu.
Duke iu referuar një dosjeje, gjatë konferencës tha se të njëjtën e ka dorëzuar tek organet e drejtësisë, për çka nuk komentoi më gjatë, veçse tha se kjo nuk ka të bëjë me stafin akademik.
“Nuk gjykoj, unë nuk jam gjykatës, janë çështje të dyshimta të cilat janë dërgu në organe të drejtësisë…Jo, jo kanë natyra të tjera, mirëpo këto janë në këtë konferencë për me tregu që hamendësimi është bazuar që siç duket, ata të shqetësuarit, të shqetësuarat, se kjo është publike, unë nuk e mbajë fshehtë, që siç duket janë duke u financu për me i instrumentalizu studentët se kinse menaxhmenti aktual na qenka kundër të drejtave të studentëve, është plotësisht e pavërtetë” – tha Hajrullahu.
Parlamenti Studentor i UP-së në faqen e tyre zyrtare në Facebook teksa ka treguar se studentët e UP-së kanë bojkotuar mësimin më 07.11.2024 dhe 08.11.2024, ka treguar po ashtu se e kanë braktisur mbledhjen e komisionit për vlerësim të vazhdueshëm të studentëve të mbajtur më 08.11.2024.
“Komisioni u mblodh sot, ditë e premte, në orën 11:00, ku katër përfaqësuesit e studentëve morën pjesë vetëm në fillim të mbledhjes. Ata shprehën qëndrimin e tyre të qartë dhe të paluhatshëm, duke theksuar se nuk mund të diskutohet vetëm për një afat shtesë, por për afate shtesë. Kjo kërkesë, megjithatë, nuk u mor parasysh nga anëtarët e komisionit, çka çoi në vendimin e studentëve për të braktisur mbledhjen, duke e cilësuar si një mosreflektim nga ana e Menaxhmentit të UP-së ndaj kërkesave tona” – kanë thënë nga Parlamenti.
Si rrjedhojë, ata i kanë ftuar studentët të protestojnë më 12.11.2024, në ora 10:00, tek Rektorati i UP-së, për realizimin e kërkesave të tyre.
Më 06.11.2024, Parlamenti Studentor i UP-së u bëri thirrje studentëve të UP-së që ta bojkotojnë mësimin, pasi janë të pakënaqur me vendimin e rektorit Hajrullahu për emërimin e komisionit të përkohshëm për shqyrtimin e kërkesës që kanë parashtruar për mbajtjen e afateve shtesë të provimeve, të cilin thanë se e kanë pranuar po atë ditë.
Për dallim nga vitet tjera akademike kur janë mbajtur afatet shtesë të provimeve, në Statutin e ri të UP-së, mbajtja e afateve shtesë të provimeve nuk përmendet.
Nga Parlamenti Studentor i UP-së i kërkuan rektorit Hajrullahu korrigjimin e një pike të vendimit të tij për emërimin e komisionit të përkohshëm për shqyrtimin e kërkesës për mbajtjen e afateve shtesë të provimeve.
Sipas Parlamentit, rektori emëroi komision të përkohshëm për shqyrtimin e kërkesës për mbajtjen e një afati shtesë të provimeve, ndërsa i kërkoi që të korrigjohet në “diskutimet mbi afatet shtesë (afati i Nëntorit dhe i Prillit).
Në të njëjtën ditë, rektori Hajrullahu iu përgjigj Parlamentit Studentor të UP-së për korrigjimin që ia kërkoi në lidhje me vendimin që rektori ka marrë më 06.11.2024 për kërkesën e tyre për mbajtjen e afateve shtesë të provimeve – afatin e nëntorit dhe prillit.
Një dokument që këshilltari për media i rektorit Hajrullahu, Bekim Muhaxheri, ka ndarë me KALLXO.com, më 06.11.2024, përmban përgjigjen që, sipas tij, rektori ia ka drejtuar Parlamentit Studentor të UP-së.
Sipas përgjigjes së rektorit Hajrullahu, Senati i UP-së në mbledhjen e mbajtur më 30.10 2024 ka aprovuar kërkesën e shtruar nga senatorja e Parlamentit Studentor në Senatin e UP-së, që të diskutohet si pikë e rendit të ditës kërkesa për mbajtjen e afatit të provimeve të nëntorit.
Hajrullahu i ka thënë Parlamentit Studentor të UP-së se komisioni i përkohshëm për çështjen e vlerësimit të vazhdueshëm të studentëve u emërua dhe votua nga Senati i UP-së, në përbërje nga prorektori për mësimdhënie, çështje të personelit akademik dhe botime – Naim Jerliu, prodekanët për çështje mësimore të të gjitha fakulteteve të UP-së, katër përfaqësuesit nga radhët e studentëve dhe ushtruesi i detyrës së sekretarit të përgjithshëm të UP-së, Besnik Loxha.
Ndërkaq, mbledhja e parë e këtij komisioni të formuar për vlerësim të vazhdueshëm të studentëve u mbajt më 08.11.2024, në ora 11:00.