Rektorati i UP-së, 29.11.2024, Foto: UN Women/Facebook

Rektorati i UP-së ndriçohet ‘me portokalli’ - i bashkohet fushatës vetëdijësuese kundër dhunës

Universiteti i Prishtinës i është bashkuar fushatës vetëdijësuese “16 ditët e aktivizimit kundër dhunës me baza gjinore”, e cila ka nisur më 25.11.2024.

Nga disa fotografi të publikuara në Facebook nga organizata e Kombeve të Bashkuara për Barazi Gjinore dhe Fuqizimin e Grave – UN Women, shihet se objekti i Rektoratit të UP-së është iluminuar nga drita me ngjyrë portokalli, ngjyrën me të cilën po simbolizohet fushata vetëdijësuese.

Po ashtu, në këto fotografi shihet rektori i UP-së, Arben Hajrullahu dhe prorektorët Albana Berisha-Qehaja, Rozafa Berisha dhe Avni Hajdari, bashkë me sekretarin e UP-së, Besnik Loxha, të cilët kanë vendosur një shallë ngjyrë portokalli.

Atyre u janë bashkuar edhe disa profesorë dhe zyrtarë tjerë të UP-së.

Menaxhmenti i UP-së, Foto: UN Women/Facebook

Dhuna në familje në baza gjinore vazhdon të mbetet një nga problemet kyçe që ka shoqëria në Kosovë.

Sipas të dhënave të Policisë, në Kosovë mbi 2,000 raste të dhunës në familje raportohen çdo vit.

Viktimat kryesisht janë të gjinisë femërore.

Vetëm gjatë vitit 2023, 286 gra dhe 335 fëmijë u strehuan në shtëpi të sigurta në gjithë vendin, teksa për vitin aktual të dhënat nuk janë ende të ditura.

Me qëllim të vetëdijësimit dhe sensibilizimit për parandalimin e dhunës në baza gjinore në Kosovë ka filluar më 25.11.2024, fushata 16-ditore e aktivizmit.

E hapja e fushatës vetëdijesuese “16 ditët e aktivizimit kundër dhunës me bazë gjinore” u shënua me një ceremoni hapëse të organizuar nga Ministria e Drejtësisë.

I pranishëm në këtë ceremoni hapëse përpos ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ishte edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Në një fjalë rasti, shefi i Qeverisë tha se ishin aty për një arsye të rëndësishme dhe një mision të drejtë.

“Për të mbrojtur dinjitetin njerëzor, për një shoqëri ku çdo grua dhe vajzë ka të drejtë të jetojë e lirë e të ëndërroj pa frikë. Në këto 16 ditë nderojmë viktimat, mbështesim të mbijetuarat, flasim zëshëm e veprojmë bashkë” – tha Kurti.

“Si Qeveri po veprojmë çdo ditë, po forcojmë ligjet, po rrisim ndihmën për strehimoret, po fuqizojmë gratë ekonomikisht në përkrahje të viktimave të dhunës në baza gjinore. Tashmë kemi ndarë 3 milionë euro mbështetje financiare për strehimoret dhe organizatat e licencuara në fushën e shërbimeve sociale dhe familjare gjatë viteve 2023-2024. Po ofrojmë ndihmë juridike falas për viktimat e dhunës në familje dhe me bazë gjinore”- kishte shtuar Kurti.

Kurti gjatë fjalimit të tij tha se nuk duhet të arsyetohet dhuna, sepse dhuna nuk është as traditë e as zgjidhje.

Ndërsa krejtësisht në fund fjalim rasti mbajti edhe nikoqirja e këtij organizimi, ministrja Albulena Haxhiu, e cila është edhe koordinatore për parandalimin dhe adresimin e dhunës në familje.

Në këtë ceremoni Haxhiu bëri thirrje që të raportohen rastet e dhunës në familje.

“Ne jemi me ju gjithmonë” – kishte theksuar Haxhiu.