
Mbahet testi i kandidatëve për Prokuror të Shtetit, Foto: Këshilli Prokurorial i Kosovës
Rekrutimi i 22 prokurorëve të rinj, testohen 238 kandidatë
29.10.2022 - 20:22
Këshilli Prokurorial i Kosovës organizoi mbajtjen e testit me shkrim për rekrutimin e 22 prokurorëve të rinj të shtetit në Akademinë e Kosovës për Siguri Publike në Vushtrri.
Në këtë proces morën pjesë 238 kandidatë, prej tyre pesë nga komunitetet joshumicë dhe 93 kandidate gra/vajza.
“Fillimisht, në prani të monitoruesve, sot, në ditën e mbajtjes së këtij testi, Komisioni për Rekrutimin e Prokurorëve të Shtetit hartoi Testin me Shkrim për kandidatët” – thuhet në njoftimin e KPK-së.
Kryesuesi i Këshillit Prokurorial të Kosovës, Jetish Maloku, i shoqëruar nga anëtarët e tjerë të Komisionit për Rekrutimin e Prokurorëve të Shtetit, si kryetar i këtij komisioni e ka mbikëqyrur rrjedhën e plotë të mbajtjes së testit.