Shri Lanka, Foto: Pixabay
Rekordi i ri: 39 kandidatë për president të Shri-Lankës
Shri-Lanka ka regjistruar numrin më të lartë të kandidatëve për president të vendit, raporton agjencia e lajmeve AP.
Komisioni i zgjedhjeve i këtij shteti ka pranuar të enjten (16.08.2024) aplikacionet e një numri rekord prej 39 kandidatësh që garojnë për zgjedhjet presidenciale, të cilat do të vendosin rrjedhën e reformave financiare të vendit për ta mbijetuar krizën e pashembullt ekonomike që po e kalon Shri-Lanka.
Komisioni i ka pranuar 39 aplikacioni dhe ka njoftuar se të gjitha ishin të vlefshme. Më shumë se 17 milionë qytetarë me të drejtë vote mund të përcaktojnë presidentin e ardhshëm. Zgjedhjet do të mbahen më 21 shtator.
35 kandidatë kishin garuar në zgjedhjet e kaluara presidenciale më 2019.
Zgjedhjet shihen si një referendum për reformat e vështira ekonomike të iniciuara nga presidenti aktual, Ranil Wickremesinghe. Reformat kanë përmirësuar shifrat kryesore ekonomike, por efektet e tyre ende nuk kanë prekur jetën e qytetarëve të rëndomtë.
Shri-Lanka po përballet me ristrukturimin kritik të borxhit dhe me programin e reformave financiare në kuadër të një pako të ndarë prej Fondit Monetar Ndërkombëtar.
Borxhi i paqëndrueshëm, baraspesha e ashpër e krizës së pagesave, efektet dërmuese të pandemisë COVID-19 dhe ngulmimi i qeverisë që të shpenzojë rezervat e jashtme ka zhvlerësuar valutën e vendit, rupin, duke shkaktuar shkurtime të ashpra të investimeve dhe mallrave themelore, si nafta, ilaçet, gazi për nevoja shtëpiake dhe ushqimi më 2022.
Kriza ekonomike dhe shkurtimet pasuese shkaktuan trazira, duke e detyruar presidentin e atëhershëm Gotabaya Rajapaksa të arratisej nga vendit dhe më vonë të jepte dorëheqje. Parlamenti e zgjodhi Wickremesinghen president për ta vazhduar kohën e mbetur të mandatit të Rajapaksas.
Përgatiti: Rexhep Maloku – Kallxo.com