Foto: KALLXO.com

Rekordi i Prokurorisë së Prishtinës: Qytetarit nga Peja i ngrihet aktakuzë rreth 20 minuta pas fillimit të hetimeve

Mbrëmë Leonard Muriqi sa ishte duke vozitur në magjistralen Prishtinë-Ferizaj është ndaluar dhe arrestuar nga Policia.

Sipas dosjes së Prokurorisë së Prishtinës, të dyshuarit Muriqi gjatë kontrollit i është gjetur armë, 18 fishekë si dhe një thikë, të cilat i janë sekuestruar.

Lidhur me këtë rast Prokuroria e Prishtinës gjatë ditës së sotme ndaj Muriqit kishte filluar hetimet të cilat zgjatën vetëm 24 minuta dhe më pas ndaj tij është ngritur aktakuza me propozim për paraburgim.

Pas pranimit të shkresave, Gjykata e Prishtinës sot gjatë ditës ka caktuar menjëherë seancën fillestare.

Tutje në seancë, kryetarja e trupit gjykues, Fatime Dermaku, kërkoi nga prokurorja e rastit Dulina Hamiti ta precizojë aktakuzën në mënyrë që propozimin për paraburgim ta ndryshojë në kërkesë.

Kjo, sipas gjyqtares Dermaku, ka ndodhur për shkak të ngritjes së aktakuzës 20 minuta pas fillimit të hetimeve.

“Gjykata ka ardhur në këtë situatë me paraqitë këtë kërkesë me precizim sa i përket masës pasi që Prokuroria aktvendimin për fillimin e hetimeve e ka marrë më 16.08.2022 në ora 14:25, po ashtu aktakuzën e ka dorëzuar të njëjtën ditë në ora 14:49  dhe në një situatë të tillë Gjykata nuk ka pasur kohë që të kërkojë më herët nga Prokuroria që të bëjë precizimin e aktakuzës sa i përket propozimit për caktimin e paraburgimit“ – tha Dermaku, raporton KALLXO.com.

Prezent në këtë seancë ishte edhe avokati i të akuzuarit Muriqi, Taulant Hajdari, i cili para Gjykatës e kundërshtoi kërkesën e Prokurorisë për paraburgim, duke shtuar se kjo kërkesë është në kundërshtim me ligjin dhe nuk plotësohen kushtet për caktimin e kësaj mase.

Sa i përket veprës për të cilën akuzohet Muriqi, ky i fundit para Gjykatës është deklaruar fajtor.

Gjykata pas dëgjimit të palëve mori vendim me të cilin e refuzoi kërkesën e Prokurorisë për masën e paraburgimit ndaj Muriqit ndërsa për veprën e armëmbajtjes pa leje do të vendosë nesër.