Rekomandohet suspendimi i tre policëve, dy nga ta në Leposaviq dhe një në Graçanicë

Inspektorati Policor i Kosovës i ka rekomanduar Policisë së Kosovës suspendimin e tre zyrtarëve policorë në dy raste të ndryshme, një në Leposaviq dhe një rast tjetër në Graçanicë.

Dy zyrtarëve të parë që iu është rekomanduar suspendimi, të cilët janë nga Leposaviqi, dyshohet se kanë kryer veprën penale “Mundësia e arratisjes së personave të privuar nga liria”

“Informatat e para për rastin e në Leposaviq IPK i ka pranuar mbrëmë ku një dyshuar i arrestuar për veprën penale “Dhunë në Familje” ishte arratisur nga qendra e ndalimit të Stacionit Policor në Leposaviq” – thuhet në njoftim.

Tutje është thënë se bazuar në informacionet e para i dyshuari pasi ishte dorëzuar nga zyrtarët policorë gjatë procedurës të vendosjes në dhomën e ndalimit ishte arratisur nga stacioni policor duke ikur në drejtim të panjohur.

Lidhur me rastin IPK ka thënë se në datën e njëjtë, para mesnatës janë njoftuar nga Policia e Kosovës se i dyshuari i arratisur është lokalizuar dhe arrestuar dhe se ndaj tij kanë vazhduar procedurat e mëtutjeshme për veprën që dyshohet të ketë kryer.

Në rastin e dytë ku është rekomanduar një zyrtar tjetër policor, IPK ka thënë se rekomandimi ka ardhur pasi polici i stacionit policor në Graçanicë dyshohet se ka kryer veprën penale të lëndimit të rëndë trupor.

Sipas IPK, nga hetimet e deritashme lidhur me këtë rast ekziston dyshimi se zyrtari policor në gjatë shoqërimit në veturën zyrtare të një të dyshuari ka tejkaluar autorizimet e përdorimit të forcës duke i shkaktuar të njëjtit lëndime të rënda trupore.