Burgu i Dubravës (Ilustrim)

Rekomandohet shtimi i masave të sigurisë në burgun e Dubravës

Pas një takimi të mbajtur gjatë ditës së sotme, në Prokurorinë Themelore në Pejë, është rekomanduar shtimi i masave të sigurisë Brenda burgut të Dubravës.

Koordinatori për veprat penale për narkotikë  në Prokurorinë Themelore të Pejës,  prokurori Ardian Hajdaraj, ka mbajtur gjatë ditës së sotme takim koordinues me Policinë e Kosovës, përkatësisht nga Drejtoria Rajonale e Policisë në Pejë, Njësitin e hetimin për  trafikim me narkotikë dhe udhëheqësit e Burgut të Dubravës, lidhur me veprat penale të narkotikëve që  ndodhin brenda hapësirave të kësaj qendre korrektuese.

“Gjatë këtij takimi, është diskutuar për intensifikimin e veprimeve për parandalimin e trafikimit të narkotikëve brenda Qendrës Korrektuese të Burgut të Dubravës, ku gjatë diskutimeve u morën disa rekomandime të cilat do ndikojnë në parandalimin e kësaj dukurie”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.

Tutje, Prokuroria ka bërë të ditur se disa nga rekomandimet e nxjerra gjatë këtij takimi koordinues, kanë të bëjnë me shtimin e  masave siguruese brenda burgut të Dubravës.

Po ashtu në këtë takim është vendosur që këto rekomandime të realizohen në afat sa më të shpejtë dhe  njëkohësisht takimet​ e tilla të mbahen çdo tre muaj.