Rekomandohet shkarkimi i gjyqtarit Driton Muharremi

Komisioni për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe Mbikëqyrjen e Agjencisë Kundër Korrupsionit ka mbajtur mbledhje të jashtëzakonshme sot.

Në këtë mbledhje, siç mëson KALLXO.com Komisioni i ka rekomanduar Kuvendit të Kosovës shkarkimin e anëtarit të Këshillit  Gjyqësor të Kosovës-së/gjyqtarit të Gjykatës së Apelit, Driton Muharremi.

Kjo ka ardhur pas skandalit të përgjimeve.

Media online “Shqip.com” ka publikuar pjesë me audioinçizime të cilat pretendohet se janë përgjime të vitit të kaluar ndërsa në këto audioinçizime përmenden edhe dy mediume për të cilat tashmë ish-shefi i Inteligjencës Financiare Dardan Nuhiu, së bashku me një bashkëbisedues pretendojnë t’i blejnë për t’i shfrytëzuar më pas për shantazhe.

Në këto audioinçizime po pretendohet kapja e sistemit medial, zgjidhja e lëndëve në prokurori e gjykatë, si dhe ushtrimi apo ndikimi në lëndën e një personi të cilit ia kishin konfiskuar veturën.

Në audioiniçizimet e publikuara pretendohet të jetë i përfshirë edhe gjyqtari Driton Muharremi.

Dy ditë më parë, KGjK-ja ka deklaruar se po ndjek me vëmendje zhvillimet e fundit lidhur me publikimet e përgjimeve nga media online “Shqip.com” nga data 30 korrik 2021, rreth bisedave telefonike të regjistruara në mes të subjekteve të ndryshme, ku përfshihet edhe një anëtar i KGjK-së.

Sipas një komunikate për media, ky Këshill ka theksuar se në pajtueshmëri me përgjegjësitë ligjore që ka do të vazhdoj të përcjell situatën dhe do të veprojë sipas procedurave dhe afateve që përcaktohen me Rregulloren për Procedurën Disiplinore të anëtarëve të KGjK-së.

KALLXO.com dje ka raportuar se Prokuroria Speciale ka marrë kërkesë nga Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi, që të hetojë audio- incizimet të cilat janë publikuar nga media online “Shqip.com” e të cilat pretendohen se janë përgjime të vitit të kaluar.

Thyen heshtjen, Kryeprokurori Aleksandër Lumezi flet për skandalin e audio-incizimeve