Foto: REL/Reuters

Rekomandohet përditësimi i strategjisë së testimeve për COVID-19

Sot gjatë ditës, disa media  raportuan se testimi për COVID-19 nuk do t’u bëhet të gjithë personave që janë gjurmuar si raste kontakti.

Por, një gjë të tillë e ka mohuar Ministria e Shëndetësisë. Në një njoftim për media, MSh-ja ka thënë se është rekomanduar përditësimi i strategjisë së testimeve.

“Për informim të drejtë të publikut, Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës dhe Komiteti për Monitorimin e Sëmundjeve Ngjitëse të Ministrisë së Shëndetësisë, bazuar në Rekomandimet e OBSH për Strategjinë e Testimit Laboratorik dhe ri-testimit si dhe në strategjinë e testimit të ECDC (datës 27 maj 2020) ka rekomanduar përditësimin e strategjisë së testimit dhe ri-testimit për SARS-CoV-2, duke përcaktuar edhe bërjen e testimit laboratorik për COVID-19 sipas disa kritereve”, thuhet në komunikatën për media të Ministrisë së Shëndetësisë.

Sipas njoftimit, ky rekomandim do të shqyrtohet nga Komiteti për Monitorimin e Sëmundjeve ngjitëse për t’u bërë pjesë e Strategjisë së përditësuar të testimit dhe ri-testimit për Covid-19.

Këto janë riterët të cilat i ka përmendur MSh-ja në njoftimin e për media e të cilat do të merren parasysh për personat që do tu bëhet testimi për COVID-19:

Pacientët me infeksion akut të traktit respirator (fillimi i papritur i sëmundjes me të paktën njërin këto shenja e simptoma: kollë, ethe, frymë-zënie) ose shfaqje e papritur e anosmisë (humbje e shqisës së nuhatjes), ageusia (shijes) ose imazheri radiologjike që tregojnë lezione kompatibile me COVID-19;

Histori udhëtimi ose vendbanimi në një vend/zonë, ku ka pasur vatra të rasteve ose përhapje në komunitet gjatë 14 ditëve para fillimit të simptomave;

Kontakt i ngushtë me rast të konfirmuar ose të mundshëm COVID-19 në 14 ditët e fundit para fillimit të simptomave;

Person që kërkon hospitalizim;

Personi banor ose anëtar i stafit, në një institucion rezidencial për personat e ndjeshëm, në 14 ditët para fillimit të simptomave.

Prandaj, duke u nisur nga kriteret e lartpërmendura rekomandohen për testim:

Të gjitha rastet e hospitalizuara në Klinikën Infektive dhe repartet e dedikuara për pacient me COVID-19;

Pacientët në repartet e Pulmologjisë dhe Kujdesit Parësor Shëndetësor me infeksione të rënda respiratore;

Personeli shëndetësor me shenja dhe simptoma të infeksionit si dhe personeli që ka pasur kontakt të afërt dhe të pambrojtur me persona të konfirmuar me SARS CoV-2;

Kontaktet e afërta të personit COVID-19 pozitiv, të cilët kanë shenja dhe simptoma të COVID-19;

Personat e moshuar dhe personat me sëmundje kronike (sëmundje të mushkërive, kancer, insuficiencë të zemrës, sëmundje cerebrovaskulare, sëmundje renale, sëmundje të mëlçisë, hipertension, diabet dhe gjendje imunokompromituese) të cilët kanë shenja të infeksionit akut respirator;

Të gjitha rastet e dyshuara që kanë shenja klinike në SARI në komunitet apo institucionet e mbyllura (shkolla, spitale, shtëpi të pleqve, burgje);

Shtetasit e Kosovës të cilët udhëtojnë jashtë vendit për trajtim mjekësor duhet të kenë dokumentacionin mjekësor valid përcjellës nëse kërkohet testimi nga shteti në të cilin udhëtojnë

Nuk testohen personat asimptomatikë, por udhëzohen në vetizolim 14 ditor si dhe monitorim vetanak të gjendjes shëndetësore dhe në rast të shfaqjes së simptomave të kërkojnë ndihmë mjekësore menjëherë.