Foto: Lidhja Demokratike e Kosovës/ Facebook

Rekomandimi për shtyrjen e zgjedhjeve lokale, LDK-ja mbledhë Kryesinë

Lidhja Demokratike e Kosovës ka mbledhur Kryesinë për të marr një qëndrim rreth rekomandimit për shtytjen e zgjedhjeve lokale të paracaktuara të mbahen më 17 tetor.

Kështu bëri të ditur shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Arben Gashi, pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit.

Ai tha se beson që LDK do të marr pjesë në takimin e thirrur sot nga presidentja Vjosa Osmani.

“Sa i përket zgjedhjeve, LDK-ja tashmë sapo ka filluar një mbledhje të Kryesisë, në të cilën do të marrë një qëndrim zyrtar. Por besoj dhe mendoj se LDK-ja do të marrë pjesë në takimin me presidenten dhe do të kërkojë që zgjedhjet të mbahen. Zgjedhjet duhet të mbahen sepse institucionet lokale nuk kanë më legjitimitet për të marr vendime dhe mungesa e legjitimitetit rrezikon demokracinë”, u shpreh ai.

Gashi tha se mund të anulohet fushata dhe të vendosen kritere të ashpra, por jo të anulohen zgjedhjet pasi sipas tij dëmtohet demokracia.

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës ka rekomanduar shtyrjen e zgjedhjeve lokale të 17 tetorit, për shkak të situatës me pandeminë.

Presidentja Vjosa Osmani sot nga ora 16:30 do të mbajë takim me partitë politike vendore për të diskutuar këtë rekomandim.