Rekomandimet për aftësimin e bllokut A5, KEK-u pritet të nënshkruajë kontratë mbi 50 mijë euro me një kompani gjermane

Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) pritet të nënshkrujë kontratë me një kompani gjermane, për angazhimin e ekspertëve për dhënien e rekomandimeve për aftësimin e bllokut A5. Vlera e kontratës që do të nënshkruhet më 25 nëntor është 52 mijë e 760 euro (pa TVSH) ndërsa për kontratë është rekomanduar kompania me bazë në Berlin të Gjermanisë, “DSD Power Technologies”.

Shpallja e këtij tenderi është bërë me procedurë të negocuar pa publikim të njoftimit për kontratë.

Më 1 nëntor të këtij viti, ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, kishte thënë se rikthimi në funksion i bllokut A5, i cili aktualisht është jashtë funksionit “duket se do të jetë e pamundur të ndodh para vitit të ri”.

”Aktualisht janë në funksion dy njësi të Kosova A dhe dy të Kosova B. Në A3 remonti kapital ka përfunduar dhe është kthyer në funksion, ndërsa në A4 remonti kapital ka përfunduar me 3 tetor 2022 dhe është në funksion. Njësia A5 është jashtë funksionit, në KEK janë duke shqyrtuar mundësitë që kjo njësi të kthehet në funksion sa më shpejtë të jetë e mundur, aktualisht duket se para vitit të ri do të jetë e pamundshme” – ka thënë mes të tjerave Rizvanolli, duke raportuar para Komisionit parlamentar për Ekonomi.

Kurse kryeshefi i Korporatës Energjetike të Kosovës, Nagip Krasniqi  në emisionin, ‘Kallxo Përnime’ kishte thënë se rehabilitimi i A5 mund të zgjas deri në tre muaj pasi atij do t’i bëhet remont kapital.

Ai kishte treguar se brenda vitit 2022 është hapur dy herë tenderi për remont të bllokut A5. Njëri në qershor, që ka qenë me procedurë të hapur, e për të cilin Krasniqi ka thënë se nuk ka pasur ofertues dhe ky që ende është në proces, por që është me procedura të negociuara.

Në fund të vitit 2021, Korporata Energjetike e Kosovës kishte nënshkruar një kontratë në vlerë 248,650 mijë euro për angazhimin e ekspertëve për inspektimin dhe riparimin e dëmeve të krijuara nga avaria në turbinën e shtypjes së ulët në Njësinë B2 të Termocentralit B.

Riparimi i dëmeve në TC “Kosova B”, eksperti gjerman do të paguhet mbi 248 mijë euro nga KEK-u