Rekomandimet e MMPHI për Qeverinë për HC-të që operojnë në kundërshtim me ligjin

Një  grup punues i Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës hartoi një raport ku u shqyrtuan procedurat administrative të zbatuara për hidrocentrale dhe ndikimi i tyre në ujëra dhe mjedis.

Në gjetjet e publikuara në këtë raport thuhet se shumica e hidrocentraleve (HC) në Kosovë operojnë pa leje mjedisore, ndërsa lejet ujore janë lëshuar pa plotësim te kritereve.

Gjithashtu, pjesa dërmuese e Hidrocentraleve në vend janë kanë ndërtesa afër lumenjve që është në kundërshtim me ligjin.

Grupi punues ka rekomanduar që të shfuqizohen/anulohen të gjitha aktet administrative të lëshuara në kundërshtim me ligjin (Ligji për Ujërat e Kosovës dhe akteve nënligjore të miratuara në pajtim me këtë ligj, Ligji për Zonat e Veçanta të Mbrojtura, Ligji për Vlerësimin e Ndikimit në Mjedis, Ligji për Mbrojtjen e Natyrës, Ligji për Parkun Kombëtar “Sharri”, Ligji për Parkun Kombëtar “Bjeshkët e Nemuna”, Ligji për Procedurën e Përgjithshme Administrative).

Rekomandim tjetër është që Ministria/Qeveria të nxjerr vendim për moratorium për procedurat e ndërtimit të HC-ve të tipit me derivacion (tub ose kanal) deri në miratimin e planeve të menaxhimit të pellgjeve lumore si dhe kompletimin e legjislacionit për dhënien e koncesionit për shfrytëzimin e ujit.

Po ashtu, në raport u bë thirrje t’u ndërpritet operimi nga organi kompetent të gjitha HC-ve që operojnë pa leje mjedisore.

Të shqyrtohet përgjegjësia për shkeljet ligjore të zyrtarëve përgjegjës në lëshimin dhe zbatimin e akteve administrative.

Tutje në raport jepet rekomandim që të harmonizohet legjislacioni në fushën e ujërave, mjedisit dhe ndërtimit sa i përket ecurisë së procesit (hierarkisë) së akteve administrative: Pëlqim Mjedisor, Kushtet Ujore, Pëlqim Ujor, Leje Ndërtimore, Leje Ujore/Koncesion, Leje Mjedisore, Certifikatë e Përdorimit.

Të respektohen afatet ligjore lidhur me procedurat e dhënies së lejeve ujore, mjedisore dhe ndërtimore.

Gjithashtu, të rritet transparenca e institucionit dhe organeve përgjegjëse për procedurat e dhënies së pëlqimeve, lejeve mjedisore, lejeve ujore përmes pjesëmarrjes së publikut në vendimmarrje. Përveç Njoftimit publik në gazetë ditore dhe ueb faqe të bëhen njoftimet publike edhe në mediat elektronike, radio dhe televizion.

Liburn Aliu, ministër i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, ka thënë në një intervistë në KallxoPernime se raporti i hartuar lidhur me operimin e hidrocentraleve në vend sugjeron që atyre që nuk posedojnë leje mjedisore t’u ndërpritet leja e punës.

MIAPH ka krijuar një komision i cili ka hartuar raportin dhe rekomandimet lidhur me hidrocentralet.

“Raporti për hidrocentralet është pranuar dhe janë edhe rekomandimet për tipin e hidrocentraleve dhe japin rekomandim që hidrocentralet të cilat nuk posedojnë leje mjedisore t’u ndërpritet puna”, ka thënë ai.

Pas këtij raporti që e ka pikëvështrim mjedisin kemi marrë opinion ligjor lidhur me pasojat ligjore.

Ai ka thënë se ato që nuk kanë leje mjedisore do të ndërpriten.

Aliu ka thënë se njëri prej rekomandimeve të raportit është që të ndalohen ato hidrocentrale që e shfrytëzojnë ujin nëpër gypa.

Nga rreth 20 hidrocentrale që veprojnë në vend, ka thënë ai, 16/17 prej tyre do të ndalin punën deri sa të pajisen me leje mjedisore.

 

Ky botim është prodhuar me përkrahjen e Bashkimit Evropian. Përmbajtja e këtij botimi është përgjegjësi e BIRN-it dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohet si qëndrim i Bashkimit Evropian.