Rekomandime për Projektligjin për Sigurinë Kibernetike

Vepra të shumta penale e dënime më të ashpra pritet t’i shtohen sistemit kosovar me ligjin e ri për Sigurinë Kibernetike, i cili aktualisht është në fazën e projektligjit.

Ky ligj pritet ta forcojë sigurinë kompjuterike në vend, pasi përpos shtimit të veprave penale të cilat kryhen me kompjuter dhe ashpërsimit të tyre ka paraparë edhe themelimin e Autoritetit Shtetëror për Siguri Kibernetike si dhe masa të shumta, duke përfshirë edhe themelimin e një pike kontakti në Policinë e Kosovës e cila do të jetë e angazhuar për 24 orë gjatë 7 ditëve të javës.

Duke qenë se tashmë Ligji për Sigurinë Kibernetike ndodhet në fazën e projektligjit dhe me qëllim të kontribuimit të pasqyrimit të ndryshimeve të nevojshme që duhet të përfshihen në këtë ligj kaq të rëndësishëm, Internews Kosova ka rekomanduar këto ndryshime:

  •       Heqja e veprave penale nga projektligji dhe përshtatja e tyre në Kod Penal

Në bazë të rekomandimeve të mëhershme që janë dhënë, tashmë është planifikuar që në këtë ligj të përfshihen edhe vepra penale si dhe dënime të cilat pritet të jenë mjaftë të ashpra.

Lidhur me këtë çështje Internews Kosova rekomandon që veprat penale të cilat janë planifikuar të përfshihen në ligj, të hiqen nga ligji dhe të përfshihen në Kod Penal.

Konsiderojmë se përfshirja e këtyre veprave penale në ligj, është ngarkesë e pa nevojshme për ligjin aktual. Duke pasur parasysh praktikën e përdorur në ligjet e tjera, konsiderojmë që Kodi Penal do të duhej të ishte pikënisja për çdo vepër penale dhe ligji bazë që shërben për konstatimin e kryerjes së çdo veprimi të kundërligjshëm. Shpërndarja e veprave penale në ligje/vende të ndryshme të ndara nga Kodi Penal konsiderojmë që vetëm sa do ta ndërlikonte e komplikonte situatën dhe do të mund të krijonte një gjendje katotike në mes të ligjeve e shumë paqartësi.

Në projektligj janë futur disa vepra penale të cilat konsiderojmë që tashmë janë fare mirë të parapara me Kodin Penal, prandaj konsiderojmë që këto vepra duhet të hiqen nga ligji për të mos ardhur deri tek një gjendje që do të shkaktonte përplasje në mes të ligjeve.

Përshtatja e këtyre veprave penale me veprat ekzistuese në Kod Penal konsiderojmë që është jashtëzakonisht e rëndësishme dhe esenciale.

  •       Veprimet procedurale të parapara në ligj të jenë në përputhje me Kodin e Procedurës Penale

Veprime procedurale të cilat janë paraparë me këtë ligj, duhet  që domosdo të jenë në përputhje me Kodin e Procedurës Penale.

Prandaj çdo veprim hetimor  apo masë e re e përcaktuar me këtë ligj duhet me kujdes të jenë përputhje me Kodin e Procedurës Penale.

Pra, si në rastin me përcaktimin e veprave penale, po ashtu edhe veprimet procedurale lidhur me kryerjen e veprave penale, janë të parapara tashmë me kodin e procedurës penale, prandaj ri përsëritja e tyre apo ndryshimi vetëm sa do të mund të shkaktonte konfuzion  në mes të ligjeve e paqartësi për tu realizuar në praktikë.

Për më tepër, organeve të ndjekjes nuk mund t’u vihen afate të cilat mund të jenë në kundërshtim me afatet e parapara me Kodin e Procedurës Penale për ndërmarrjen e veprimeve hetimore.

Për këtë qëllim, sa i përket veprimeve hetimore, afateve dhe veprimeve tjera, ky Ligj duhet të referojë në Kodin e Procedurës Penale dhe jo të tentojë ta mbizotërojë atë.

  •       Krijimi i Politikave të brendshme të menaxhimit të rrjeteve sociale

Duke pasur parasysh monitorimin e vazhdueshëm të institucioneve publike Internews Kosova ka arritur të evidentoj mungesën e theksuar të menaxhimit të rrjeteve sociale nga institucionet publike.

Mungesa e menaxhimit të rrjeteve sociale nga institucionet tona ose keq menaxhimi apo menaxhimi jo i mirë i tyre shkakton mungesë të transparencës dhe komunikimit më të mirë me qytetarët.

Në ditët e sotme rrjetet sociale po konsiderohen si mënyra me e mirë dhe lehtë për qasje dhe komunikim të drejtpërdrejtë me qytetarët, prandaj konsiderojmë që krijimi i politikave të brendshme për menaxhimin e rrjeteve sociale do t’i kontribuonte në masë të madhe rritjes së transparencës dhe besimit tek qytetarët në raport me institucionet publike.

Në mungesë të politikave të brendshme, institucionet funksionojnë pa pasur një rregullativë për ndërtimin e prezencës online. Gjë e cila sjellë në një situatë në të cilën, prezenca online e institucioneve tona publike është e pa mbrojtur.

Me krijimin e politikave të brendshme të menaxhimit të rrjeteve sociale do të përcaktohej një standard i njëjtë i rregullimit të faqeve të cilat tashmë janë të ndërtuara në forma të ndryshme.

Nga të dhënat nga monitorimi është konstatuar se në institucionet nuk ka një protokoll të sigurisë i cili imponon një kontroll që tregon se deri në cilën masë u lejohet kompanive të futen në program dhe të kenë qasje brenda në ruajtje të të dhënave.

Duke pasur parasysh konstatimet e mësipërme, Internews Kosova rekomandon që të shfrytëzohet momentumi ligjor dhe që veprimet e sipërpërmendura të adresohen në projektligjin për sigurinë kibernetike.

Internews Kosova

Prishtinë – Mars, 2022

Ky artikull hulumtues është përgatitur si pjesë e projektit “Rritja e Pjesëmarrjes së Qytetarëve në Agjendën Digjitale – ICEDA” me mbështetjen financiare të Bashkimit Evropian. Përmbajtja e këtij artikulli hulumtues është përgjegjësi e vetme e Open Data Kosovo dhe e autorit dhe në asnjë mënyrë nuk i pasqyrojnë qëndrimet e Bashkimit Evropian.