Regjistrohet me targa RKS një automjet që ishte me targa serbe

Ministria e Punëve të Brendshme ka njoftuar se është bërë regjistrimi i parë i veturës nga targat ilegale në ato RKS.

Kjo veturë thuhet se është regjistruar në Prizren.

“Në të gjitha Qendrat e Regjistrimit të Automjeteve (QRA) ka filluar procesi i regjistrimit të mjeteve nga targat ilegale në RKS, vetura e parë është regjistruar në Prizren” – është thënë në njoftim.

Tutje është treguar se në QRA-të e vendit procesi i regjistrimit të mjeteve nga targat ilegale në targa RKS ka filluar sot.

Qendrat është thësnë se kanë qenë të hapura në të gjitha komunat për qytetarët e interesuar për të marrë informacionet e nevojshme.

“Në ditën e parë në Qendrën për Regjistrimin e Automjeteve në Prizren është bërë zëvendësimi i parë i targave në targa RKS” – thuhet në komunikatën e MPB-së.

Sipas Ministrisë, QRA-të do të jenë në dispozicion të qytetarëve çdo ditë për të ofruar informacionet dhe ofruar shërbimet për kthimin e targave në RKS.

“Me këtë rast, MPB inkurajon të gjithë qytetarët që të shfrytëzojnë këtë mundësi, duke përfituar dhe nga lehtësirat që ofron ky proces si: Taksën doganore, taksën administrative në Qendrën e Regjistrimit të Automjeteve, tarifën për targën, tarifën për pajisje me certifikatë të regjistrimit të mjeteve” – thuhet në komunikatë.

MPB ka thënë se përmes QRA-ve është duke iu përgjigjur në vazhdimësi kërkesave të qytetarëve për informacione shtesë dhe do të vazhdojë fushatën për informim dhe në javët në vazhdim, me qëllim të informimit të drejtë dhe inkurajimit për regjistrimin e mjeteve në targa RKS deri më 31 tetor 2022.